Site icon PrishtinaPress

Eurodeputeti kroat kërkon masa ndaj Serbisë: BE s’mund ta kthejë kokën nga përgjegjësia e Vuçiq

Eurodeputeti kroat në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, në një intervistë për televizionin N1 ka theksuar se Serbia i eksporton problemet e saj të pazgjidhura në fqinjësi në formën e konflikteve.

“BE-ja nuk mund ta kthejë kokën nga përgjegjësia e presidentit Vuçiq dhe regjimit të tij për gjithçka që po ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë”, ka deklaruar Picula.

Parlamenti Evropian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, ka deklaruar Picula.

Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.

Deputeti kroat Tonino Picula, duke folur në emër të grupit Socialist, kërkoi masa ndaj Serbisë, duke e cilësuar si terrorist sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ngjarjet e fundit janë evidencë se sa e rrezikshme është situata. Jemi të shqetësuar për sjelljen e Serbisë edhe pas këtyre ngjarjeve“, pati thënë Picula.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq – ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – por Kosova ngul këmbë se shteti serb qëndron pas sulmit.

Edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Exit mobile version