Site icon PrishtinaPress

Eurodeputetët letër të hapur Kurtit: Pas krizës zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara

Një grup deputetësh dhe ish-deputetë të Parlamentit Evropian i janë drejtuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti me një letër të hapur, ku kanë theksuar se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që Kosovës t’i sigurohet liberalizimi i vizave.

Në këtë letër, thuhet se ata janë të bindur se Kosova ka nevojë për qeveri funksionale në kohë krize, por që pas krizës zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me kushtetutën.

“Ne jemi të bindur që Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë situatë krize. Pas kësaj krize, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me kushtetutën tuaj. Ne anëtarët e Parlamentit Europian jemi gjithmonë në anën e qytetarëve të Kosovës. Ne në vazhdimësi avokojmë për liberalizimin e vizave me Këshillin Europian për qytetarët e vendit tuaj, pasi ne fuqishëm besojmë që e meritoni. Dëshirojmë t’iu inkurajojmë juve që të vazhdoni luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së coronavirusit. Kjo mund të japë vetëm argumente shtesë atyre që janë ende duke punuar kundër Kosovës”, thuhet në letër.

Kjo letër i është drejtuar Kurtit, të enjten e 9 prillit, në ditën e Kushtetutës së Kosovës, të cilën e kanë nënshkruar Tanja Fajon, deputete, Slloveni; Tonino Picula, deputet, Kroaci; Andreas Schieder, deputet, Austri; Evin Incir, deputete, Suedi; Viola von Cramon-Taubadel, deputete, Gjermani dhe Knut Fleckenstein, ish-deputet, Gjermani.

Më poshtë keni të plotë letrën e eurodeputetëve drejtuar Kurtit:

Letër e hapur për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

I dashur kryeministër Kurti,

Para së gjithash duam të shprehim solidaritetin tonë në luftën tuaj të vështirë kundër pandemisë së coronavirusit. Të gjithë jemi duke kaluar kohë të vështira, dhe është mirë të shohim që ju jeni duke ia dalur në mënyrë adekuate me situatën.

Qeveritë e shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë shprehur më 1 prill këtë vit si në vazhdim “Në këtë situatë të paprecedent, është legjitime që shtetet anëtare të marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur qytetarët e tyre dhe për të tejkaluar krizën. Ne jemi shumë të shqetësuar rreth rrezikut të shkeljes së parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, të cilat janë duke u rritur që nga vendosja e masave emergjente.”

Duke qenë mbështetës të fortë të parimeve të sundimit të ligjit dhe demokracisë, ne jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në vendin tuaj pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, dhe deklaratën e presidentit për interpretimet e mundshme kushtetuese. Askush nuk mund të keqpërdorë krizën aktuale për lojëra politike. Dhe ne ende shpresojmë që ka frymë bashkëpunimi në Prishtinë.

Ne po ashtu dëshirojmë t’iu falënderojmë për heqjen e tarifës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ne e kuptojmë që ky hap i nevojshëm tani duhet të inkurajojë disa shenja të vullnetit të mirë nga ana e Serbisë.

I dashur kryeministër,

Ne jemi të bindur që Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, veçanërisht në këtë situatë krize. Pas kësaj krize, zgjedhjet e reja mund të jenë rruga e duhur për të ecur përpara në përputhje me kushtetutën tuaj. Ne anëtarët e Parlamentit Evropian jemi gjithmonë në anën e qytetarëve të Kosovës.

Ne në vazhdimësi avokojmë për liberalizimin e vizave me Këshillin Evropian për qytetarët e vendit tuaj, pasi ne fuqishëm besojmë që e meritoni. Dëshirojmë t’iu inkurajojmë juve që të vazhdoni luftën kundër çdo keqpërdorimi të krizës së coronavirusit. Kjo mund të japë vetëm argumente shtesë atyre që janë ende duke punuar kundër Kosovës.

Tanja Fajon, anëtare PE, Slovenia

Tonino Picula, anëtar i PE, Kroacia

Andreas Schiender, anëtar i PE, Austria

Evin Incir, anëtar i PE, Suedi

Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e PE, Gjermani

Knut Fleckenstein, ish-anëtar i PE, Gjermani

Exit mobile version