Kampionati Evropian i futbollit po afron dhe është koha për t’i dhënë disa detaje rreth kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit evropian.
Roberto Rosetti, drejtor gjeneral i referëve në UEFA i ka prezantuar disa direktiva që lidhen me arbitrimin në garën që do të mbahet në verën që po vjen, duke iu referuar më së shumti përdorimit të sistemit VAR, shkruan “Tuttomercatoweb”.
Euro 2024 pa dyshim se do të jetë Evropiani më i avancuar ndonjëherë teknikisht, me shtimin e teknologjisë së topit të lidhur me VAR, “offside” gjysmë automatik (SOAT) dhe me teknologjinë e vijës së portës.
Topi zyrtar do të përmbajë censorë lëvizjeje që do të dërgojnë të dhënë të sakta në kohë reale, duke i ndihmuar gjyqtarët dhe VAR-in e UEFA-s për ta identifikuar çdo prekje që ndodh, duke e reduktuar kohën e shpenzuar për zgjidhjen e rasteve të pozitave jashtë loje, topave të prekur me dorë dhe penalltive.