0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

EULEX zbulon hetimet për krim të organizuar dhe haraç kundër Daut Haradinajt (Dokument)

Në kohën kur hetuesit e EULEX-it po punonin intensivisht për të zbuluar kriminalitetin e dyshuar të Ukë Rugovës, ata kishin nën hetime edhe deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Haradinaj, vëllai i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dyshohej për dy vepra penale: krim të organizuar dhe detyrim, apo siç njihet kjo vepër si haraç.
Emri i tij është përmendur në një dokument konfidencial të një hetuesi të EULEX-it, i cili i kishte raportuar prokurorit të rastit, Allen Cansick.
Insajderi e ka zbuluar këtë detaj gjatë hulumtimit që po bën për veprimtarinë e dyshuar kriminale të Ukë Rugovës dhe të tjerëve.
Në këtë raport hetimor të vëzhgimit të Ukë Rugovës dhe grupit të tij që mbanë datën 16 janar 2014, i përpiluar nga hetuesi i EULEX-it, Panagiotis Karagiannis, dërguar prokurorit Allen Cansick, përmendet emri i Haradinajt dhe data e tij e saktë e lindjes që është 6 prill 1978.
Bazuar në këtë dokument, rrjedh se emri dhe veprat penale janë përvjedhur gabimisht pasi që i njëjti prokuror dhe hetues aso kohe ka qenë duke e hetuar edhe Haradinajn.
Dokumenti me numër OCIO/12/20140116/6699, në versionin shqip zbulon hetimet për këto dy vepra të rënda penale.
Prokuroria nuk ka pranuar të flas për hetimet kundër Daut Haradinajt, e as të sqaroj rrethanat e përmendjes së tij në dosjen hetimore kundër Ukë Rugovës.
“Prokuroria nuk i komenton hetimet, dhe as nuk i konfirmon apo mohon ato”, ka thënë prokuroria në një përgjigjke me shkrim për Insajderin.
Haradinaj, ndërkaq ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë hetim kundër tij.
“Deri sot kush me mu s’ka fol. Kurrë njeri i gjallë deri në këtë minutë s`me ka kontaktu. Absolut, asnjëherë, prej teje po nij për herë të parë”, ka thënë Haradinaj për Insajderin.
Deputeti i AAK-së si dhe vëllai i tij, Ramush Haradinaj shpesh herë janë përmendur si njerëz që kanë mbledhur haraç dhe kanë detyruar bizneset të paguajnë për ta.
Dyshimet janë forcuar kur disa vjet më parë, dy truproja të Ramush Haradinajt me disa persona tjerë, kishin rrëmbyer biznesmenin nga Klina Azem Morina duke kërkuar tre milion euro për lirimin e tij. Ata e kishin mbajtur peng mbi një muaj dhe kishin arritur t’i merrnin nga djali i të rrëmbyerit mbi 280 mijë euro. Grupi i drejtuar nga Bedri Krasniqi është dënuar për këtë krim.
Ukë Rugova, ndërkaq tashmë është i akuzuar për vepra penale të krimit të organizuar që lidhen me shitjen e vizave italiane.
Ai, së bashku me Izet Beqirin, Azad Beqirajn, Fitim Beqirin, Visar Beqirin, Florian Petanin, Kujtim Avdylin, Edison Idrizajn, Qefser Bahollin, Liridona Beqirin, Hamza Beqirin, Driton Vocën, Hamza Beqirin, Astrit Haraqinë, Valon Selimin, Beg Shaqirin, Hasan Shaqirin, Azem Koskovikun, Alban Agushin, Haxhi Islamin, Ragip Gashin dhe Fadil Ahmetin, akuzohen nga prokurori Allen Cansick për krimit të organizuar, mashtrim, ushtrim të ndikimit, kontrabandim me migrantë, dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.
Rugova akuzohet se ka mbikëqyrur bizneset e Izet Beqirit me Florian Petanin dhe procedimin e vizave në ambasadë. Prokurori pretendon se Izet Beqiri ka vepruar si menaxher i operacionit dhe ai ka ndërmjetësuar ndërmjet Florian Petanit dhe të pandehurit Azad Beqiri, dhe të tjerëve.
Muaj me parë Insajderi raportoi se veprimtaria e dyshuar kriminale, Ukë Rugovës i ka sjell një fitim gati dy milion euro. Ai kishte ndërtuar një rrjet funksional, që pajiste njerëzit me viza Schengen në kembim të 3.000 deri në 4.000 euro pa asnjë problem. Aplikacionet për viza shoqëroheshin me një letër rekomandim të titulluar: “Familja e Presidentit Rugova”. /Insajderi.com/

hetimi1

hetimi2

hetimi4

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img