Site icon PrishtinaPress

EULEX-i përforcon kapacitetin këshillues përmes një ekipi të specializuar të këshilltarëve policorë

EULEX ka njoftuar se dje në Kosovë kanë arritur gjashtë këshilltarë policorë, të cilët do të mbështesin institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit.

Siç thuhet në njoftim, ata do të këshillojnë Policinë e Kosovës.

“Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftim.

Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se në mënyrë të veçantë, ES e EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet.

Po ashtu në njoftim thuhet se, pjesëtarët e ES të EULEX-it janë të dërguar nga Holanda (tre) dhe Suedia (tre) dhe, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

Exit mobile version