Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka përfunduar sot zhvendosjen e selisë së tij në Zonën Industriale në Prishtinë.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se selia i re e EULEX-it do të vendoset në katin e pestë të ndërtesës së “Capital Gate”, ngjitur me lompleksin ekzistues të EULEX-it për operacione dhe mbështetje, ku ndodhen elementet kryesore logjistike dhe operacionale të Misionit.
“Kjo zhvendosje po i forcon sinergjitë ekzistuese duke sjellë kështu përfitime të dukshme operacionale, logjistike dhe financiare. Për më tepër, ajo do të kontribuojë në zvogëlimin e gjurmës mjedisore të EULEX-it, pasi 60 për qind e nevojave totale të energjisë së ndërtesës së Capital Gate plotësohen nga gjenerimi prej paneleve diellore”.
“Numrat e telefonit dhe adresat e postës elektronike të EULEX-it mbeten të pandryshuara. Misioni vazhdon të jetë i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij: t’i mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikave më të mirat evropiane”, thuhet në njoftim.