I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, të shtyhet vendimi për targat.
Escobar në një intervistë për Prime Time, më tej ka deklaruar se është e rëndësishme që kur ShBA-të dhe Quinti të bëjnë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë.
“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë fillimisht Escobar.
Më tej, ai ka thënë se për shtyrjen e këtij vendimi nuk morën zotim nga Osmani e Kurti.
“Jo, nuk e morëm. Prandaj, ende po e pres këtë. E di që do të ketë edhe të tjerë zyrtarë nga Quinti që do të vizitojnë, zoti Lajçak do të jetë këtu. Dua të sigurohem që njerëzit që janë të përfshirë në negociata të dëgjojnë një përgjigje pozitive për këtë.”, ka thënë Escobar për Kanal10.