Sulmuesi kosovar, Ermal Krasniqi është dërguar në Beograd për rehabilitim pas lëndimit që pësoi me skuadrën e Clujit xhiron e fundit.
Krasniqi është dërguar nga ekipi i Clujit te mjekja e njohur serbe, Marijana Kovaçeviq, ka raportuar sot Fanatik.
Marijana Kovacevic është njëra prej fizioterapeuteve më të njohura në sport. Tek ajo rikuperohen edhe yjet më të mëdhenj të futbollit. Së fundmi, fizioterapeuten serbe e kishte vizituar edhe ylli i Real Madridit, Luka Modriq.
Krasniqi kishte pësuar një lëndim të lehtë në ndeshjen e fundit ndaj CSU Craiova të dielën e kaluar, ndërsa pritet të mungojë nesër për ndeshjen ndaj FCB-së.
Sulmuesi kosovar është stërvitur i ndarë nga pjesa tjetër e ekipit sot.
Ermal Krasniqi ishte transferuar te skuadra e Clujit në fillim të sezonit nga skuadra e Ballkanit. Në 19 paraqitje me fanellën e skuadrës rumune, 24-vjeçari kosovar ka shënuar pesë gola e ka dhuruar edhe dy asistime.