Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes së detyrës së re në krye të ekzekutivit, ka pranuar letër urime nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndërsa në këtë letër flitet po ashtu rreth çështjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Erdogan në letrën e urimit drejtuar kryeministrit Albin Kurti ka thënë se përfshirja e turqve në qeveri është tregues që i kushtohet vëmendje prioriteteve dhe pritjeve të komunitetit turk në Kosovë.
Presidenti turk po ashtu shkruan lidhur me çështjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës, hapja e së cilës është njoftuar se është bërë në Jerusalem, mendoj se do të ishte e dobishme për qeverinë tuaj të rishikonte këtë çështje brenda kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në letër.