Site icon PrishtinaPress

Enver Sekiraqa: S’kam pas asnjë arsye apo motiv me pas problem me Triumf Rizën apo me nxitë vrasjen e tij

Enver Sekiraqa, i cili po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, ka thënë se ai nuk ka pasur asnjë arsye, motiv apo shkas për të pasur çfarëdolloj problemi me të ndjerin Riza apo për të nxitur vrasjen e tij.

“Unë s’kam pas asnjë arsye, as motiv, as shkas, për as senin ma t’vogël, me pas problem çfarëdolloji me të ndjerin Triumf Riza aq më larg, larg qoftë me mendu apo nxit apo organizu vrasjen e një polici të Kosovës”, tha Sekiraqa.

Ai tha se nëse do të ekzistonte një motiv, atëherë do të ishte për policin e Ferizajt, Besnik Hasanin, i cili sipas tij e kishte rrahur pa ndonjë arsye, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“…më ka rrahë pa asnjë arsye dhe më ka montu procesin gjyqësor ku jam dënu me 2 vite burg pa e kry asnjë akt, dënim të cilin e kam mbajt për mbajtjen e të cilit jam lajmëruar vetë, për vuajtje të dënimit pa bërë asnjë vepër asnjë veprim të vetëm”, shtoi tutje Sekiraqa.

Ai ka shprehur keqardhje ndaj babait të të ndjerit Riza, Shefqet Riza duke iu drejtuar me fjalët “unë s’kam të bëj asnjë send me këtë punë, as s’jam kanë për, as s’jam kanë kundër, se s’e kam ditë që ka me ndodhë, që me kanë kundër…Kontributi im në këtë punë është zero.”

Të dënuarin Arben Berisha, ai ka thënë se nuk e ka njohur pothuajse fare dhe se nuk e ka lidhur asgjë me të.

“Kurrfarë pune apo biznesi, apo pazari, apo lidhje familjare. Këtë që e them unë mund ta vërtetoni dhe e ka vërtetu edhe policia, edhe përkundër vullnetit që kanë pasur të falsifikojnë dhe të montojnë llojlloj prove si p.sh dëshmitari D2. Unë me Arben Berishën s’kam ndejt kurrë, nuk jam shoqëru kurrë, me Arbenin janë shoqëru ata dajtë kapak, kusherit e dajve. Kur e them këtë, e kam fjalën për “rrumqin” – Rrahim Abdullahu dhe Lizen – Ilir Abdullahu”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.

Ndërsa, lidhur me foton që ka me Berishën, ai tha se në atë rast e kishin thirrë vëllezërit Dervishi, Kiki dhe vëllai i tij Mili, dhe në atë rast shihen 5 ose 6 persona.

“Aq persona sa janë ata, janë edhe karrika, pa mua ata e kanë bërë një foto pak minuta më herët ku nuk shihet asnjë karrikë e zbrazët, çka nënkupton se nuk ka pasur person tjetër përveç tyre në atë tavolinë ku kanë qenë duke konsumuar alkool”, tha i akuzuari Sekiraqa.

Ai tha se në foton e radhës ku shihet ai në mes të dy vëllezërve Dervishi, shihet se ai është ulur në karrigen e Milit, ku ai e kishte qenë më parë.

Ndërkaq, ka mohuar të ketë pasur ndonjëherë problem me tani të ndjerin Triumf Riza. Por, ka sqaruar vetëm problemin me “Swiss Cazino”, i cili tha se kishte ndodhur nga fundi i vitit 2005 e në të cilin kishte marrë pjesë i ndjeri Riza, i cili tha se e kishte shpëtuar nga më e keqja, pra nga plumbat.

“Kurrë nuk e harroj unë ata, se kam mujt unë aty me kanë i vdekur, ai më ka ngreh aty për jakne me fuqi të madhe, nuk e di pse, mirëpo ai ka qenë shpëtimi im”, tha Sekiraqa.

Sekiraqa ka thënë se nuk qëndron deklarata e Adelina Ismailit, e cila kishte rrëfyer se i ndjeri Triumf Riza ka qenë i kërcënuar dhe i përcjellë nga i ashtuquajturi grupi Sekiraqa.

“Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj lidhur me përcjelljen e të ndjerit Triumf Riza, një përcjellje e tillë kurrë nuk ka ndodhë nga askush, nga familjarët apo shok i imi sepse Triumf Riza s’ka qenë person që përcillet sepse i njëjti ka qenë ekspert i sigurisë dhe ka qenë shumë agresiv, çka e vërtetojnë disa lëndë dhe disa dëshmitarë në gjykatë, ku edhe është shpallur fajtor”, tha Sekiraqa.

Po ashtu, Sekiraqa ka mohuar se Arben Berisha kishte punuar apo kishte kërkuar ndonjëherë punë tek biznesi i tij “Bruno caffe”.

Më pas, në sesionin e pasdites, duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Kuçi, Sekiraqa tha se në ditën kur kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Riza, ishte në lokalin e tij “Bar caffe Sekiraqa” duke ndenjur bashkë me personin e quajtur Ymri.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtës nga i akuzuari Sekiraqa, avokatja e tij, Kosovare Kelmendi deklaroi se nuk është e gatshme që sot të paraqes fjalën përfundimtare.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 7 dhjetor 2023.

Paraprakisht, në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se lidhur me kundërshtimet e avokates Kelmendi për provat e prezantuara nga prokurori special Shpetim Peci, do të vendoset me aktgjykim.

Ndërkaq, tha se ka aprovuar kërkesën e saj për plotësimin e procedurës së provave materiale, ashtu që në cilësi të provave materiale të administrohen njoftimi i avokatit Ramiz Krasniqi, sqarimi i PTK-së, prova materiale me shkrim e lëshuar nga Qenan Qerimi, i punësuar në PTK, si dhe dosja e “Disciplinary case”.

Exit mobile version