-2.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Enigma e partisë së re të Visar Ymerit, ndarja finale e Vetëvendosjes?

Pavarësisht injorimit që “baba” i Vetëvendosjes tregon karshi gazetarëve kur pyetet për ndarjen brenda partisë që ai tashmë do të udhëheqë, vetë heshtja e Visar Ymerit dhe Dardan Molliqajt reflekton mirë për krizën që veçse është thelluar dhe mund të sjellë si produkt një parti të re, atë Socialdemokrate të udhëhequr nga Ymeri, apo krahu i djathë i tij, Molliqaj, shkruan Gazeta Express.

Albin Kurti vazhdon me deklaratat se në Vetëvendosje nuk ka ndarje dhe se pranon mendimet e ndryshme të anëtarëve që së bashku kanë shkruar programin e kësaj partie, e në të njëjtën kohë heziton të përmendë emrat e bashkëpunëtorëve të dikurshëm më të ngushtë, të cilët mund të bëhen kundërshtarë të tij politikë me një parti të re, që do t’ia marrë edhe një pjesë të elektoratit.

Vetë molla e sherrit në këtë mes, Aida Dërguti, ka kohë që nuk ka komentuar këtë ndarje, e njëjtë, si ajo, të kontaktuar nga Express as Molliqaj as Ymeri nuk kanë qenë të qasshëm.

Si duket kjo heshtje e tyre do të reflektojë shumë shpejt me partinë e re të përfolur, atë Socialdemokrate.

Analistët politikë vlerësojnë se nuk ka diskutim për ndarjen e VV-së, sepse një gjë e tillë veçse ka ndodhur, duke pohuar se kjo ndarje do të mund të ndikojë në mënyra të ndryshme, që nga votat për çështje të rëndësishme brenda kuvendit e deri tek elektorati tashmë i ndarë i VV-së.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se vetë hezitimi i 2/3 të anëtarëve të përgjithshëm të kësaj partie për të dalë në zgjedhje reflekton mirë dhe jep mesazh të qartë për këtë ndarje.

Sipas tij, shpresa e vetme për një bashkim të mundshëm ishte para zgjedhjeve.

“Nëse është menduar se një bashkim mund të ndodhë, të dielën kjo shpresë që e ka pasur kushdo qoftë ka marrë fund, bashkimi ka qenë i mundur pa u zgjedhur z.Kurti kryetar, po vetë kandidatura e i tij dhe zgjedhja e tij i kanë dhënë fund ndonjë shprese për bashkim të partisë, kështu që kjo zgjedhje i ka dhënë goditjen e fundit Vetëvendosjes së bashkuar, njerëzit që kanë dalë nga Vetëvendosje dhe të tjerët që do të dalin ditëve në vazhdim zgjedhjen e vetme e kanë formimin e një partie të re, ata nuk do të dalin në subjekte tjera, por do të krijojnë një subjekt të ri politik. E rëndësishme është për ta që të bëjnë ndarjen mes subjektit të ri që do të krijojnë dhe Vetëvendosjes, të udhëhequr nga Kurti. Votuesit e tyre duhet të dinë çka ndryshon ky subjekt i ri nga Vetëvendosje, duke hedhur kështu në pah edhe në ndarje”, thotë ai.

E sa i përket ruajtjes së qëndrimeve të tyre për çështje të rëndësishme për të cilat dikur Vetëvendosje u tregua shumë e zëshme, si Gjykata Speciale e Demarkacioni, Mushkolaj thotë se deputetët që kanë për qëllim ruajtjen e elektoratit duhet të jenë shumë të kujdesshëm.

“Për sa kanë bërë publike grupi i të dorëhequrve nuk është se kanë ndonjë qëndrim karshi këtyre temave, nuk e di nëse do të votojnë në linjë me Vetëvendosjen, ose do të ndryshojnë, ose thjesht do të shohin interesin e tyre se si do të reflektojë në të ardhmen te elektorati i tyre, ata do të duhet të jenë shumë të kujdesshëm në situata të tilla dhe nëse do të kishin qëndruar në Vetëvendosje do ta ndiqnin linjën e Vetëvendosjes, por pas ndarjes jo domosdoshmërish do të ndjekin ato qëndrime”, pohon ai.

Mushkolaj thotë gjithashtu se anëtarët e kësaj partie duhet të kenë të qartë se votat që kanë siguruar në zgjedhjet e qershorit nuk ishin vota vetëm për Albin Kurtin dhe të njëjtat nuk do të mund të arrihen më nga kjo parti.

“Ato vota nuk janë dhënë vetëm për Kurtin që ka qenë kandidat për kryeministër, por janë dhënë për Vetëvendosjen, e nëse e shohim edhe numrin e votave që janë marrë nga këta njerëz që tashmë janë dorëhequr është numër jashtëzakonisht i madh, kështu që Vetëvendosje nuk do të arrijë të marrë numrin e votave që kanë marrë në qershor”, shton ai.

E në fund, ai thotë se ndarja do të ndikojë në dobësim të VV-së, pavarësisht qëndrimeve të njerëzve të afërt me Albin Kurtin se kjo parti po pastrohet nga persona të caktuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img