Site icon PrishtinaPress

Engel e siguron Haradinajn se SHBA-të do ta mbështesin Kosovën edhe në të ardhmen

Kryeministri i vendit, Ramush  Haradinaj po qëndron në Munih në kuadër të punimeve të Konferencës së Sigurisë.

Ai atje është takuar me kongresistin amerikan, Eliot Engel, raporton lajmi.net.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga zyra e kryeministrit.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj ka falënderuar kongresistin Engel për përkushtimin e tij të pakursyer në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, duke thënë se miqësia dhe partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të  Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të thellohet ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kongresistin Engel për të arriturat e shtetit të Kosovës, për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për prioritetet e Qeverisë, në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të ShBA-së për forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Në këtë përvjetor të 11-të të pavarësisë së Kosovës, shpreh falënderimet e mia, të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për kontributin tuaj të palodhshëm dhe të ShBA-së për lirinë, pavarësinë dhe tani në shtetndërtim. U jemi mirënjohës për ndihmën  e pakursyer në të gjitha periudhat. Faleminderit mik i shqiptarëve!”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, kongresisti amerikan, njëherësh kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Kongresin AmerikanEliot Engel, duke e uruar kryeministrin Haradinaj për 11-vjetorin e pavarësisë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë mbështetjen e Kosovës në rrugën drejt zhvillimit ekonomik, demokratik dhe konsolidimit të shtetndërtimit.

Në takim të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.

Exit mobile version