1.7 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Ëndrra e dështuar e Kosovës

AUTORI: MORGAN MEAKER

Në shkurt të viti 2008, shteti më i ri i Europës shpalli pavarësinë si një “shtet multi-etnik”. Pas konfliktit të saj me Serbinë, Kosova e pas luftës u dërgua drejt identitetit të saj të ri nga Kombet e Bashkuara, Evropa dhe ShBA-të. Perëndimi këtu shpenzoi 25 herë më shumë para për kokë banori se sa në Afganistanin e pas luftës.

Por, meqë  shteti dhe shumica e popullsisë së saj etnikisht shqiptare festoi të dielën e kaluar 10 vjetorin e pavarësisë, është e qartë se përpjekjet për ta kthyer Kosovën në një shtet multi-etnik kanë dështuar dhe minoritetet vazhdojnë të mbeten të përjashtuara nga pjesa kryesore e shoqërisë.

Grupet minoritare të serbëve dhe romëve janë të izoluara në komuna të ndara. Manastiri  Serb i Deçanit ende ka ushtarët e NATO-s që mbrojnë hyrjet e tij dhe familjet Ortodokse Serbe, që jetojnë afër kufirit lindor me Serbinë, thonë se mund t’i përshëndesin fqinjët e tyre, por nuk do të shkonin kurrë brenda shtëpive të tyre. Ende më shumë se 100,000 romë, të cilët ikën nga lufta e 1998 jetojnë jashtë në mërgim. Shumë mbeten ende në kampin Konik të Malit të Zi, duke preferuar të qëndrojnë për dy dekada në kushte të getos se sa të shkojnë në shtëpi. Përderisa Kushtetuta është e mbushur me ligje kundër diskriminimit, ato kryesisht nuk janë zbatuar. Në vend të kësaj, minoritetet vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga shoqëria dhe aspekti ekonomik. Për shembull, minoriteti egjiptian përballet me 80% papunësi – pothuajse trefishin e pjesës tjetër të popullsisë.

Ideja e shtetit multi-etnik ishte një zgjidhje e negociatave të stagnuara mbi territorin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mesin e viteve 2000. Kufijtë nuk mund të ndryshonin thoshin grupet e politikave ndërkombëtare –  Serbia nuk mund t’a kërkonte Veriun me shumicë Serbe dhe as nuk do të kishte bashkim me Shqipërinë, siç kishin shpresuar shumë. Në vend të kësaj, shteti do të ishte një shembull i ndritshëm i shtet-ndërtimit me pakica të përfshira.

Për t’a përforcuar këtë ide, Parlamenti zbuloi një flamur të ri me gjashtë yje. Një për secilin prej grupeve kryesore etnike të vendit, më i vogli nga të cilët – Goranët myslimanë sllavë – numëronin pak më shumë se 10,000 veta. Flamuri ishte ngjyrë të kaltër dhe të verdhë, një përshëndetje me koke për Bashkimin Evropian dhe një antidot ndaj shqiponjës kuq e zi shqiptare, nën të cilën kishte luftuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës. Një himn i ri ishte vetëm instrumental, kështu që fjalët nuk mund të ofendonin në asnjë gjuhë. Por, meloditë e tij të frymëzuara nga Evropa dhe mesazhi i paqes dështuan të rezononin. “Himni t’a shpifë” – më tha mua një 27 vjeçar, student i shkencave kompjuterike në kryeqytetin Prishtinë. “Himni shqiptar ka më shumë ndjenjë.”

Që Kosova ta miratojë identitetin e një shteti multi-etnik, shumica duhet të pajtohet me këtë ide. Por, në një vend ku 92% e identifikojnë vetën si shqiptar, etiketa e re ishte shumë progresive. Rritja e populizmit nëpër Francë, Gjermani dhe Holandë ka treguar se, edhe sot, vendet evropiane kanë vështirësi të përqafojnë plotësisht shoqëritë multi-etnike.

Në vend të kësaj, shumë shqiptar kosovar e panë etiketën multi-etnike të tyre si pjesë të marrëveshjes së pavarësisë. Në zyrën e tij në qendër të Prishtinës, Adrian Zeqiri, drejtori i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve në Kosovë u shpreh se:

“Një nga kompromiset më të mëdha të bëra për pavarësinë e Kosovë ishte dobësimi i elementit shqiptar (i identitetit tonë).”

Identiteti i imponuar mbi Kosovën ishte i pa-rrënjë; në vend që t’a ribënte historinë u përpoq të fshinte atë. Etiketa e kombit jobindës nënkuptonte që komunitetet mbetën duke shikuar në etnitë e tyre për identitetin e tyre. Shqiptarët ishin ende shqiptarë, Serbët ishin ende serbë, romët ishin ende romë. Sot, është e rrallë të takosh dikë që e përkufizon vetën së pari si kosovar.

Por, faji gjithashtu qëndron në ekonominë e dështuar të vendit që vuan nga papunësia e lartë, zyrtarët e korruptuar dhe nga një status i sovranitetit që vazhdon të jetë diskutabil. Për liderin e grupit me të madh opozitar në Parlament, Albin Kurti, problemet ekonomike të Kosovës burojnë nga mungesa e autonomisë së shqiptarëve. Politikani i majtë, partia e të cilit ka shënuar një rritje drastike në popullaritet, e quan Kosovën “një protektorat ndërkombëtar”, të qeverisur nga politikat dhe prioritet e vendeve të tjera.

“Mendoj që ata do të përfundojnë duke u siguruar që gjërat do të mbeten stabile, të qeta dhe paqësore, në vend që të jenë të drejta dhe progresive” thotë 42 vjeçari në Zyret Qendrore të Vetëvendosje!, “Kështu, ata kanë këtë qasje konservative, ata mendojnë për atë se çfarë mund të humbin e jo se çfarë mund të fitojnë”.

Ndoshta Kosova ka nevojë për ndryshime radikale për dekadën e ardhshme të pavarësisë së saj.  Por, ndryshimet radikale mund të kenë pasoja radikale. Premtimet politike të Kurtit përfshijnë një referendum mbi bashkimin me Shqipërinë – një kërcënim që Serbia e interpreton si “goditje e daulleve të luftës.” Çfarëdo rritje në tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vendosin pakicat përsëri në një pozicion të cenueshëm.

Ndërsa Kosova feston 10 vjetorin e pavarësisë, shumë nga komunitetet e vendit do të shohin festimet si të largëta – duke festuar një identitet pjesë e të cilit ata nuk ndihen.

(Shkrimi është publikuar në blogs.spectator.co.uk)

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img