-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Ende s’ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit, partitë opozitare pa pajtim 

Grupet parlamentare nuk arritën të pajtohen të hënën për thirrjen e një seance parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, megjithëse e gjithë opozita ka kohë që kërkon vazhdimisht që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit.

“Ka vetëm kërkesë për debatin për qeverisje, që pritet të trajtohet të premten. Ky është propozim i Grupit Parlamentar të AAK-së, me të cilin ata kanë propozuar edhe rrëzimin e Qeverisë. Ne nuk e mbështesim dhe natyrisht konsiderojmë që nuk ka arsye të votohet në favor të kësaj kërkese”, tha ajo.

Mandati i Qeverisë përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke e cilësuar atë si të “dëmshme për vendin”.

Kusari Lila tha se nuk kanë frikë nga shkuarja në zgjedhje, por shtoi se nevojitet unitet i opozitës për ta bërë të mundur këtë.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbështet shpërndarjen e Kuvendit, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duan zgjedhje të reja përmes shkarkimit apo dorëheqjes së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se shtatori duhet ta gjejë Kosovën me Qeveri të re, por e pranoi se ka mungesë pajtueshmërie për këtë.

“Deri tani, ende nuk jemi në një situatë ku kemi dakordim mes grupeve parlamentare, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nguli këmbë që Qeveria e Kurtit të marrë përgjegjësinë, për siç tha, “dështimet e saj” përmes dorëheqjes.

“Shpërbërja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje për Qeverinë Kurti, në njëfarë forme marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimin e Qeverisë. Shpërbërja duhet të vijë vetëm atëherë kur ta shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur të japë dorëheqje ajo, por në asnjë situatë Kuvendi të marrë një përgjegjësi që nuk i takon”, tha Tahiri.

Javën e kaluar, kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së, me të cilin bisedoi për zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Kurti tha zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë, ose në vjeshtën e këtij viti.

Dy partitë e tjera opozitare, LDK dhe AAK, nuk pranuan të takohen me Kurtin për këtë çështje.

Por, Kurti ka zhvilluar edhe një takim lidhur me çështjen e zgjedhjeve, me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa.

Për shpërndarjen e Kuvendit, nevojitet mbledhja e 40 nënshkrimeve për mocionin paraprakisht, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img