Për SMS-të e shkëmbyera me Mehmet Shkodrën sot dëshmoi Emin Krasniqi, ish-zv.ministër në Ministrinë e drejtuar nga Fatmir Limaj.
Prokurori Charles Hardaway vazhdoi me shpalosjen e SMS-vë të rinj në rastin gjyqësor të njohur si “MTPT”, ku dëshmitar i radhës ishte Emin Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deri në vitin 2010, dhe në të njëjtën pozitë por në Ministrinë e Transportit në vitet 2010-2013.
Dëshmitari Krasniqi, njëkohësisht edhe anëtar kryesisë së PDK-së që nga themelimi i saj në vitin 1999, pohoi se në ato pozita kishte qenë i zgjedhur nga kryetari i partisë së tij, asokohe kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa në MTPT ishte në kohën kur ministër ishte Fatmir Limaj.
Emin Krasniqi tha se me Limajn kishte raporte gjatë aktiviteteve të përbashkëta ndërsa njihte edhe të akuzuarin tjetër, Endrit Shala, për të cilin tha se e njihte si këshilltar i Limajt.
Edhe dëshmitari Krasniqi sikur disa dëshmitarë të tjerë pararendës nga prokurori Hardaway u pyet lidhur me raportin e tij me tani të ndjerin Mehmet Shkodra që ishte dëshmitar i këtij rasti dhe i cili kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni në Austri.
“Zotëri Emin insisto të ma japin rrugën Bresalc-Gadime se nuk ban me met pa punë apet”, ishte njëri nga SMS-të që i ishte dërguar dëshmitarit nga i ndjeri Shkodra.
Prokurori e pyeti dëshmitarin lidhur me këtë SMS ndërsa dëshmitari tha se arsyeja se pse i ka shkruar i ndjeri Shkodra atij ishte për shkak të lidhjeve të largëta familjare.
Prokurori gjithashtu dëshmitarit i tha se në SMS gjithashtu shkruhet se “Qemajli po thotë se nuk po muj me u taku me ta”.
“Shumica e qytetarëve atëherë dhe tani, njëri prej tyre edhe Mehmet Shkodra i ndjerë mendonin se duke qenë në kryesi me Hashim Thaçin dhe të tjerët dimë çdo gjë dhe dimë për marrëdhëniet e Qemajlit me të tjerët”, u përgjigj dëshmitari.
Edhe pyetja tjetër e prokurorit Hardaway u ndërlidh me “kryetarin”.
“Përshëndetje, a keni kontaktuar me kryetarin dhe çka ka thanë qe e kam lyp Ponesh-Gadime”, thuhej në SMS-in që Shkodra ia kishte dërguar dëshmitari Emin Krasniqi. Ky e mohoi të kishte kontaktuar ndonjëherë kryetarin Thaçi lidhur me këto çështje.
Dëshmitari Krasniqi tha se mund t’i ketë thënë të ndjerit Shkodra të konkurrojë për fitimin e ndonjë tenderi po asnjëherë se do t’i ndihmonte për ta bërë këtë.
Megjithatë nga SMS-të e shpalosur nga Hardaway dukej se dëshmitari i ndjerë Shkodra mendonte se dëshmitari Emin Krasniqi mund të insistonte për të që t’i jepnin punë.
“Zoti Emin insisto të ma japin rrugën Bresalc-Gadime se nuk bon me met pa pune apet” është SMS-i i radhës i lexuar nga prokurori Hardaway, të cilin Mehmet Shkodra ia kishte dërguar dëshmitarit Krasniqi.
Dëshmitari ishte kategorik në mohimin e këtyre pretendimeve.
SMS-i i fundit që Hardaway shpalosi në gjykim ishte me një përmbajtje ku Shkodra thoshte se nuk do të heshtë më pasi nuk i ishte ndarë një tender i kërkuar nga ai.
“Zoti Emin tenderin të cilin kemi bisedu ja kanë dhanë tjetër kujt, kjo punë ka marrë fund edhe unë nuk shuj mo dhe askush nuk ka të drejtë me më thonë shuj kur punën nuk ma kryen”, thuhej në SMS-in e dërguar nga i ndjeri Shkodra për dëshmitarin E. Krasniqi.
“Për mua ai tashmë është i ndjerë dhe nuk më lejohet të them diçka që do të humbte dinjitetin e tij mirëpo ai ka qenë temperament për nga natyra”, tha dëshmitari Krasniqi.
Mbrojtja dhe të pandehurit nuk patën pyetje për dëshmitarin Krasniqi, gjë që çoi në përfundimin e seancës.
Në procesin e njëjtë me Limajn me të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe biznesmeni Florim Zuka.
Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet “MTPT 1” dhe “MTPT 2”, më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik./Kallxo.com