Site icon PrishtinaPress

Emigrimi, sinjal jo i mirë për liberalizim të vizave

Rritja e numrit të qytetarëve të interesuar për të emigruar jashtë Kosovës për në vendet e Evropës dhe më gjerë, nga autoritetet në Prishtinë konsiderohet se mund të ketë efektin e vet edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Muajve të fundit është raportuar se shumë të rinj, kryesisht në mënyrë legale, kanë lëshuar Kosovën dhe kanë gjetur punë në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

Përveç perceptimeve për ikjen e qytetarëve nga Kosova në vendet evropiane, të dhënat zyrtare për muajt e fundit rreth emigrimit, institucionet e Kosovës nuk i kanë në dispozicion.

Qytetarët, raportohet se po largohen nga Kosova në mënyrë legale duke u pajisur me viza pune në misionet diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituara në Kosovë, çka e bën situatën më të lehtë krahasuar me periudhat e ikjeve ilegale.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës gjatë javës së fundit kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme me pikën, siç është quajtur: “Debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit nga paslufta”.

Por që sipas, kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj kjo seancë do të raportohet diku dhe se sipas tij, mund të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave. Ai tha se në Samitin e Berlinit më 29 prill, pret që të kërkojë edhe njëherë nga Gjermania dhe përfaqësuesit e BE-së atje, që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Por, seancat plenare, si ajo për ikjen e qytetarëve, sipas tij, mund të kenë ndikimin e vet në këtë proces.

“Ne jemi në 29 prill në Berlin. Ajo është një mundësi reale për të ecur përpara me çështjen për liberalizmit të vizave, por më vjen keq që seanca patjetër do të raportohet diku. Me idenë e disa poenëve të caktuar ose situatave të caktuara, qofshin politike apo tjera, duhet të bëjmë që të realizojmë qëllimin që e kemi që 20 vjet, që njerëzit tanë të lëvizin të lirë. Në Bashkimin Evropian tani janë zgjedhjet e reja”, theksoi Haradinaj, duke shtuar se Parlamenti i Kosovës ka pasur forma tjera që të ngrisë shqetësimin e ikjes së qytetarëve.

Gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, niveli i lartë i papunësisë janë theksuar si dy nga problemet kryesore që po detyrojnë të rinjtë të ikin nga vendi.

Taulant Kryeziu, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se vendet e Bashkimit Evropiani shqetësim mund ta kenë emigrimin ilegal, pasi që emigrimin legal ata e kanë nën kontroll.

“Te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian shqetësim kryesor është që qytetarët e Kosovës të mos bëhen barrë e taksapaguesve të vendeve anëtare të BE-së. Në secilin nga vendet anëtare të BE-së, qytetarët tanë të cilët punojnë me viza pune është gjithçka në rregull, për arsye se ka një dakordim me mes punëdhënësit dhe punëmarrësit . Ata kanë viza të caktuar që mund të jenë 6 muaj apo 1-vjeçare dhe kjo është e rregulluar dhe në këtë drejtim nuk ka shqetësim sepse këto vende e kanë të kontrolluar qarkullimin e tyre në aspektin ligjor. Por, shqetësimi i tyre është kur një shifër mbi 100 mijë qytetarë qëndrojnë në mënyrë ilegale në vendet anëtare të BE-së, pasi që ata janë persona ngarkesë për taksapaguesit e qytetarëve të BE-së”, thekson Kryeziu.

Sundimi i ligjit, shton ai, është kryefjala e procesit të integrimit evropian dhe se, sipas tij, nëse institucionet e vendit dëshirojnë t’i bindin vendet anëtare për vendimmarrje pozitive, duhet të adresojnë reformat e integrimit, për të cilat, siç thotë ai, ka ngecje të mëdha.

Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, thuhet se për periudhën 2013-2017 mesatarisht në vit kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë të Kosovës dhe se pjesa dërmuese e emigrimit kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç.

Përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas këtyre të dhënave, të cilat kanë si burim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kanë emigruara më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Taulant Kryeziu thotë se largimi nga Kosova i moshave të reja dhe personave me edukim të lartë, duhet të jetë një shqetësim i madh për institucionet e vendit.

“Kur humbet meritokracia, në një vend ku nuk mbretëron sundimi i ligjit, pastaj gjithë alternativat tjera janë të hapura. Shqetësimi më i madh për këtë klasë politike është se nga Kosova po ikin të rinjtë pasi që numri i të papunëve më i madh është i koncentruar në këtë kategori të personave, edhe ata pak që punojnë janë më kontrata afatshkurta dhe nuk kanë një siguri për një planifikim familjar. Të gjitha këto ndikojnë që të rinjtë të shikojnë çdo alternativ e të mundshme për të lëshuar vendin”, thotë ai.

Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012, por që ende si proces nuk është finalizuar.

Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën tani ka mbetur te ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha kanë paralajmëruar mundësinë që në BE, përkundër se do të ketë zgjedhje sivjet, të merren vendime pozitive për Kosovën në muajin qershor të këtij viti.

Ndërkohë që komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn pati paralajmëruar se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, me gjasë, mund të vjen në shprehje, diku gjatë vitit 2020.

Exit mobile version