0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Emigrimi e zbret papunësinë në Kosovë në 10.8%, në pikën më të ulët që nga paslufta

Papunësia në Kosovë ka rënë në 10.8 për qind, që është më e ulëta gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Të dhënat dalin nga Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin e 3-të të vitit 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019, që është viti i fundit para fillimit të pandemisë COVID-19 dhe ndryshimeve të mëdha politike në vend, shkalla e papunësisë ishte 24.5%. Pra, për 3 vite, shkalla e papunësisë në Kosovë ka rënë nga 24.5% në 10.8% – që i bie një zvogëlim i shkallës së papunësisë për rreth 56%.

Sipas ekonomistit Edison Jakurti, papunësinë në Kosovë nuk po e zvogëlon punësimi sa po e zvogëlon emigrimi.

“Si ka ndodhur kjo? Fillimisht, e gjithë analiza mund të bëhet duke supozuar që nuk ka ndodhur ndonjë “inxhiniering” i të dhënave, por ato janë të vërteta. Përderisa në 3 vitet e fundit, gjithnjë sipas ASK-së, numri i të papunësuarve është zvogëluar për mbi 73 mijë, numri i të punësuarve është rritur për rreth 35 mijë. Pra, me parimin ceteris paribus, më pak së gjysma e të papunësuarve mund të jenë punësuar. Çka ka ndodhur me më shumë se gjysmën tjetër? Ose janë bërë joaktiv – pra kanë hequr dorë së kërkuari punë në Kosovë, ose tashmë janë larguar nga Kosova. Kjo shihet qartë te numri i popullsisë joaktive që është rritur për mbi 32 mijë, dhe nga numri i përgjithshëm i popullsisë në moshë pune, i cili për 3 vite është zvogëluar për rreth 6 mijë”, ka thënë Jakurti, në një analizë të tij të raportit të ASK-së.

Një pasqyrë e ngjashme mund të shihet edhe nga krahasimi nga viti në vit. Vetëm mes vitit 2022 dhe 2021, gjithnjë sipas ASK-së, numri i të papunësuarve ka rënë për mbi 38 mijë, por numri i të punësuarve është rritur për më pak se 3 mijë, ndërkohë që numri i personave joaktiv ka rënë për mbi 2 mijë.

“Si shpjegohet kjo rënie e madhe e numrit të të punësuarve por rritje e vogël e të punësuarve? Përgjigjja është sërish tek ndryshimi që ka ndodhur tek popullsia në moshë pune. Sipas ASK-së, vetëm mes 2022 dhe 2021, popullsia në moshë pune është zvogëluar për rreth 38 mijë persona. Çfarë ka ndodhur me ta? Disa mund të jenë pensionuar e disa mund të jenë angazhuar në detyra që nuk llogariten si pjesë e tregut të punës, por jo të gjithë, sepse ndërkohë ka pasur 18-vjeçarë që mund t’i kishin zëvendësuar ata e ato. Përgjigjja më racionale është, sërish, emigrimi”, e ka vazhduar analizën e tij Jakurti.

Sipas Jakurtit, përderisa zvogëlimi i numrit të të papunësuarve është lajm shumë i mirë, rritja e vogël e numrit të të punësuarve dhe sidomos tkurrja drastike e popullsisë në moshë pune në përgjithësi dhe e fuqisë punëtore në veçanti janë zhvillime tejet shqetësuese që kërkojnë adresim urgjent.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img