Site icon PrishtinaPress

Emigrantët, Rama për “Corriere della Sera”: Gjithçka do menaxhohet nga Italia, nuk presim marrëveshje me vende të tjera

E përditshmja italiane “Corriere della Sera” shkruan se më shumë se reagimet e opozitës së tij, janë kritikat e Partisë Demokratike italiane ndaj marrëveshjes për emigrantët që e kanë habitur kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Më poshtë vijon intervista e plotë e kryeministrit Rama për marrëveshjen e migrantëve Itali-Shqipëri:

Gazetari: Sipas nënsekretarit të shtetit italian Fazzolari, migrantët mund të qëndrojnë në qendra në Shqipëri deri në 18 muaj. A është kështu?

Rama: Marrëveshja parashikon që migrantët do të priten në qendrën e pritjes me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian dhe evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme. Në rast se nuk kanë më të drejtë qëndrimi në objekte, Italia i transferon menjëherë migrantët nga territori shqiptar.

Gazetari: A ka rrezik që mes migrantëve të ketë terroristë?

Rama: Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Thjesht duhet të kemi vullnetin dhe kujdesin për të përmbushur këtë angazhim duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe rregullat e vendosura për funksionimin e këtij operacioni të përbashkët, të cilat përfshijnë edhe kontrollin nga agjencitë e sigurisë të të dy vendeve.

Gazetari: A nuk keni frikë se Italia mund të braktisë refugjatët tuaj?

Rama: Përgjigja është në marrëveshje. Periudha e qëndrimit në territorin shqiptar nuk mund të kalojë maksimumin e lejuar nga legjislacioni italian për këtë çështje. Autoritetet italiane, në përfundim të procedurave të kryera në përputhje me legjislacionin e tyre, do të marrin masa për largimin e tyre.

Gazetari: Kush do të vijë në Shqipëri? Në fillim dukej se ishte vetëm për burra.

Rama: Ata që përçuan në media në mënyrë të shtrembër atë që tha Meloni në konferencën për shtyp, folën për “burra”. Kryeministrja nënvizoi se të miturit dhe gratë shtatzëna nuk bëjnë pjesë në kategoritë e personave që do të priten në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Gazetari: Jeni kontaktuar nga vende të tjera evropiane pas marrëveshjes me Italinë?

Rama: Jo. Dhe ne nuk do të jemi të hapur për asnjë kërkesë, ashtu siç nuk ishim të hapur për kërkesa të ngjashme përpara se të na kërkonte Italia. Në Romë, nuk mund të thonim jo pasi vendi ynë ka një borxh mirënjohjeje që nuk do të mund ta shlyenim kurrë, por që nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Gazetari: A do të trajtohen çështjet që lidhen me kërkesën për azil nga avokatët italianë që vijnë në Shqipëri?

Rama: Ky operacion do të jetë 100% përgjegjësi e palës italiane, në çdo aspekt.

Gazetari: Opozita shqiptare pretendon se nuk është kushtetuese t’i lëshosh një tokë një shteti tjetër.

Rama: Ligjet tona në këtë pikë janë të qarta, marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët në vijim.

Gazetari: Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha tha për “Corriere” se ka frikë nga ksenofobia dhe protestat kundër italianëve. Si mund ta komentoni këtë?

Rama: Unë kurrë, nuk i përgjigjem në gjuhë të huaj opozitës në Shqipëri, dhe as deklaratës së një politikani të shpallur non grata nga SHBA-ja për shkak të “korrupsionit të rëndë” që përfshiu familjen e tij dhe cënimit të demokracisë të vendit tonë. Nuk i komentoj as në shqip. Fatmirësisht, shqiptarët e dinë mirë se çfarë është emigracioni dhe mikpritja ndaj atyre në nevojë.

Gazetari: Ju erdhi keq për reagimin e Partisë Demokratike Italiane?

Rama: Mbeta i befasuar. Ata kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe kritikojnë qeverinë e tyre, por nuk ka asnjë arsye për të përfshirë socializmin dhe ekzekutivin shqiptar. Qeveritë shkojnë e vijnë, interpretimet e socializmit ndryshojnë, por Shqipëria dhe Italia janë gjithmonë aty, të lidhura pazgjidhshmërisht në ditë të mira dhe të këqija.

Gazetari: Çfarë kritikoni te Partia Demokratike Italiane lidhur me reagimin e saj dhe fenomenin e migracionit?

Rama: Asgjë! Askush në Evropë nuk mund të thotë se kanë zgjidhjen ideale dhe funksionale në të njëjtën kohë. Derisa Evropa të ketë një zgjidhje të pranuar nga të gjithë, edhe në aplikimin e saj të përditshëm, kjo do të mbetet një histori betejash dhe lojërash politike në shtetet anëtare.

Gazetari: Keni pasur ndonjë reagim, qoftë edhe informal, nga pjesa tjetër e PSE-së?

Rama: Jo, asnjë reagim.

Gazetari: Duket se keni një marrëdhënie të veçantë me disa kryeministra italianë si Renzi dhe Meloni. Dhe më pak me të tjerët, për shembull Draghi. Si ka mundësi?

Rama: Gaboheni, por nuk është faji juaj. Draghi ka fatin të jetojë pa rrjete sociale dhe kështu nuk kishe si ta dije se marrëdhënia ime me të është gjithashtu e veçantë. Për të qenë i qartë, një nga privilegjet më të mëdha që kam pasur është që Mario më kërkoi t’i drejtohesha me emër. Ai është një monument i gjallë.

Gazetari: Pas gjithë kësaj zhurme, jeni ende të bindur për këtë marrëveshje me Italinë?

Rama: “Zhurma” si këto, siç ju i quani me të drejtë, nuk më shqetësojnë aspak.

Exit mobile version