Elon Musk u ka thënë njerëzve se po merr doza të vogla të ketaminës për të trajtuar depresionin dhe është parë duke marrë ilaçin edhe “në mënyrë rekreative”, sipas një raporti të fundit nga The Wall Street Journal.
Sipas mediave të huaja, miliarderi merr doza të plota të drogës në festa, duke cituar individë që kanë parë Musk të përdorë ketaminë, si dhe njerëz të tjerë me njohuri të drejtpërdrejta me këtë gjë.
Siç shkruan Business Insider, Musk nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Por, CEO i Tesla bëri një postim në Twitter për përdorimin e ketaminës për të trajtuar depresionin më pak se dy orë pas publikimit të raportit të The Journal.
“Depresioni është i mbidiagnostikuar në SHBA, por për disa njerëz është me të vërtetë një çështje e kimisë së trurit”, shkroi Musk në Twitter në orët e para të mëngjesit të së martës.
“Por ‘zombifikimi’ i njerëzve me SSRI sigurisht që ndodh shumë. Nga ajo që kam parë me miqtë, ketamina e marrë herë pas here është një alternativë më e mirë”.
Ketamina është një “drogë” që mund të ndikojë në shqisat vizuale dhe dëgjimore të një individi, si dhe të prodhojë “shkëputje nga realiteti”, sipas Fondacionit të Alkoolit dhe Drogës.
Ilaçi përdoret zakonisht në fushën mjekësore si një anestetik, por mund të përdoret gjithashtu në mënyrë të paligjshme nëpër festa.
Ilaçi mund të shitet si pluhur i bardhë, i tretur në lëng ose në formë pilule.
Përdorimi i ketaminës për trajtimin e depresionit është studiuar në disa prova klinike dhe mund të rezultojë të jetë “një kufi i ri” për trajtim.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave nuk e ka aprovuar zyrtarisht ketaminën për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor, por për më shumë se një dekadë, disa profesionistë mjekësorë ua kanë përshkruar ilaçin disa pacientëve.
Mikrodozimi, praktika e marrjes së një sasie shumë të vogël të një droge, është bërë një praktikë e zakonshme në Silicon Valley, ku drejtuesit marrin sasi të vogla të barnave si LSD në një përpjekje për të rritur kreativitetin dhe fokusin e tyre.
Megjithatë, shumë psikedelikë janë të paligjshëm.