Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se nga 1 shtatori deri më 11 dhjetor i këtij viti mund të bëhen kërkesa tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, më 9 shkurt 2025.
Ai për Klankosova.tv ka pohuar se deri më 11 dhjetor duhet të dorëzohen edhe listat e kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike.
“Duke filluar nga 1 shtatori dhe deri më 11 dhjetor 2024, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”.
“Gjithashtu, deri më 11 dhjetor 2024, subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Elezi.