Kryeministri Albin Kurti i ka mbledhur dje pronarët e kompanive që merren me ndërtimin e rrugëve, të cilëve u është drejtuar me disa kërkesa.
Derisa u përmendi se ka rrugë të papërfunduara që nga viti 2014, Kurti u kërkoi që të ekzekutojnë punët edhe natën gjatë stinës së verës, derisa i paralajmëroi se mund t’i vizitojë. Të njëjtit i siguroi se për punën e kryer do të paguhen në afat maksimalisht të shkurtuar.
Në fillim të këtij muaji, është bërë inaugurimi i nisjes së punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
Pas ceremonisë, Kurti iu drejtua qytetarëve në Facebook për të dhënë detaje rreth projektit.
Ai tha se vlera e projektit është 35 milionë euro dhe se do të kryhet për 365 ditë.
“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare”, shkroi Kurti.
Disa ditë më pas, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh skeptik se punimet do të përfundojnë pas një viti.
“Nga përvoja e kaluar nuk pres që kryhet, por ne e kemi bërë mobilizimin maksimal për me arritë këtë datë pra që të përfundojë për 1 vit. Jemi duke luftuar për me arritë këtë datë. Por nuk i shti duart në zjarr që kryhet, sepse ne e kryejmë shpronësimin, e bëjmë mbikëqyrjen e krejt por faktorët e paparashikushëm mund ta ndërrojnë atë 365-ditëshin”, ka deklaruar Aliu, në një intervistë për Kallxo.
E pikërisht vonesat në kryerje të punëve dhe arsye të tjera, Kryeministri Albin Kurti bashkë për me Ministrin Aliu, kanë mbledhur dje pronarët e kompanive që merren me ndërtim të rrugëve, të cilëve u janë drejtuar me disa kërkesa, ndër të cilat edhe që të punojnë gjatë natës për të kryer punët.
Ai u përmendi atyre disa projekte të filluara vite më parë, të cilat ende s’kanë përfunduar.
Për rrugën Komoran-Skenderaj, Kurti tha se punimet kanë filluar në vitin 2014, por që ende s’ka përfunduar.
Në vitin 2019 tha se ka filluar ndërtimi i rrugës Dollc-Gjakovë, por që s’ka përfunduar.
“Investimi në drejtim të Mitrovicës – i papërgatitur dhe rrjedhimisht i tejzgjatur dhe ende i papërfunduar; Investimi në drejtim të Gjilanit (Autoudha dhe jo vetëm), të papërgatitura dhe rrjedhimisht të tejzgjatura; Investimet në drejtim të Llapit të filluara pa shpronësime, të papërfunduar”, janë projektet e tjera të papërfunduara që i përmendi Kurti.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti u bëri thirrje Operatorëve Ekonomikë aktualisht të kontraktuar që të shtojnë kapacitetet e angazhuara në pajisje dhe personel në realizimin e obligimeve të kontraktuara; të respektojnë maskimalisht standardet, kualitetin/cilësinë e materialeve dhe sigurinë në punë; të mundësojnë qarkullimin e automjeteve nëpër segmentet ku punohet në veçanti në periudhën e vizitës së bashkatdhetarëve, dhe në segmentet me qarkullim të madh, të shfrytëzohet edhe nata për të ekzekutuar punët.
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve, tha se do të shtojnë kapacitete mbështetëse për të siguruar se puna e kryer do të paguhet në afat maksimalisht të shkurtuar si dhe problemet eventuale pronësore apo të tjera të zgjidhen në afat rekord.
“Ne jemi një qeveri e cila dëshiron të marrë pak më shumë kohë në planifikim dhe përgatitje, në mënyrë që ekzekutimi të jetë i shpejtë. E jo, pa përgatitje e planifikim, e me ekzekutime të tejzgjatura”, citohet të ketë thënë kryeministri.
Në njoftum thuhet edhe se Kurti ka shprehur gatishmërinë që së bashku me Aliun dhe Durmishin t’i vizitojmë punët të cilat kryhen edhe gjatë natës në stinën e verës.
“Në fund të takimit me propozim të Kryeministrit Kurti u dakorduan që takimet e përbashkëta të tilla të vazhdojnë edhe në vijim, takimi i radhës pritet që të mbahet në vjeshtë. Po ashtu, Kryeministri shprehu gatishmërinë që të zhvilloi edhe vizita në vendpunimet që janë duke u bërë, për t’i parë nga afër punimet”, thuhet në njoftim.