1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ekzekutimet mafioze që tronditën Shqipërinë gjatë vitit 2016

Viti 2016 nuk ka qenë aspak një vit i qetë për shqiptarët. Që në ditët e para të tij vendi u trondit nga një seri ngjarjesh kriminale. Përveç krimeve për motive të dobëta dhe krimeve në familje, ky vit ka pasur një seri përplasjesh mes bandave të cilat kanë sjellë disa viktima e të plagosur.

Mes ngjarjeve më të bujshme të vitit që lamë pas, kanë qenë vrasja mafioze e Gazmend Çollakut, atentatet ndaj fisit Çapja, arrestimi i Emiljano Shullazit, si dhe saga e hakmarrjes mes bandës së Elton Çiços e Jani Aliajt.

Kush e vrau Gazmend Çollakun?

Më 6 janar 2016 në lagjen nr.1 të Durrësit, 4 persona të veshur me uniformë policie me një mjet “Audi” me targa gjermane rrëmbejnë me forcë Gazmend Çollakun. Dëshmitarët thanë se Çollakun e gjuajtën disa herë me shkop bejsbolli që e detyruan të futej në makinë. Vetëm disa orë më vonë në mëngjesin e datës 7 janar 2016, trupi i tij gjendet i masakruar, dhe i goditur me plumb pas kokës, i lidhur këmbë e duar me fasheta plastike, në fshatin Murqin të Krujës. Pistat kryesore të hetimit për këtë vrasje ishin prishja e pazareve të drogës ose një hakmarrje për vrasjen e 2 të rinjve po në Durrës më 20 dhjetor 2015.

Megjithatë familjarët i hedhin poshtë të dyja këto pista. Në një intervistë për “News 24”, kunati i tij thotë se, Çollaku nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk merrej me aktivitete të paligjshme. 3 javë pas ngjarjes policia shpall si të dyshuar të kësaj vrasjeje Denis Shtrazën dhe Ervin Dalipajn, ish-oficer policie. Të dy këta persona janë shoqëruar që më 6 janar dhe pasi u mbajtën 12 orë të shoqëruar u lanë të lirë. Policia ushtroi kontroll në mjetin “ML” në pronësi të Dalipajt, por që përdorej nga Shtraza, dhe në bagazh u konstatuan disa gjurmë gjaku të ngjashme me ato që u gjetën në fashetat e Çollakut. Në automjet policia gjeti dhe disa celularë të fikur.

Më 28 janar policia arrestoi Denis Shtrazën në Rinas teksa po largohej nga Shqipëria. Para uniformave blu Shtraza ka mohuar akuzat, megjithëse në dhjetor të 2016 prokuroria mbylli hetimet dhe çoi në gjyq dosjen e tij. Të njëjtin qëndrim mban edhe i vëllai i tij, Ilir Shtraza, i cili për “News 24” tha se i vëllai njihej me Çollakun dhe ndanin një miqësi bashkë.

Ndërsa i dyshuari tjetër për vrasjen e Çollakut, ish-oficeri Ervin Dalipaj ndodhet ende në arrati. Ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen dhe thotë se akuzat ndaj tij janë fabrikuar nga disa oficerë policie që kanë si qëllim denigrimin e figurës së tij.

Hakmarrja për vrasjen e Çollakut nuk kurseu as fëmijët. Më 12 maj të vitit që po lemë pas persona të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtëpinë e Denis Shtrazën, ku i plagosur mbeti nipi i tij 12 vjeç. Polica gjeti në vendngjarje 17 gëzhoja, sipas saj ky mund të ketë qenë një mesazh për Denis Shtrazën, dhe plagosja e nipit mund të ishte vetëm një incident. Për ngjarjen policia nuk ka asnjë të dyshuar.

Atentatet ndaj fisit Çapja

Në kuptimin e plotë të fjalës 3 shkurti i 2016 mund të cilësohet një natë terrori. Në një lokal pranë stadiumit “Elbasan Arena”, rreth orës 20:00, persona të paidentifikuar të veshur me kamuflazh hapën zjarr ndaj lokalit dhe lanë të vdekur 3 persona dhe plagosën 8 tjerë. Si pasojë e breshërive të plumbave humbën jetën: Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe

Eno Bedalli, ndërsa të plagosur kanë mbetur Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bedar Muça, Bujar Rreshka, Florenc Çapja, Ardian Zharri, dhe Arnold Çapja.

Policia në vendngjarje ka gjetur 65 gëzhoja, si edhe 3 armë automatike, 2 në vendngjarje dhe një tjetër 500 metra më larg. Pista kryesore e hetimit që u hodh menjëherë pas ngjarjes ishin ajo e një hakmarrje të mundshme e fisit Mema pasi këto 2 familje kanë një histori 11-vjeçare përplasjesh me njëra-tjetrën. Por kjo u hodh menjëherë poshtë nga të dyja palët. Fisi Mema reagoi me një deklaratë për shtyp ku mohoi përfshirjen e tij në këtë konflikt. Sipas tyre me fisin Çapja kanë pasur mosmarrëveshje por jo hasmëri. Pavarësisht kontrolleve në banesa e biznese, të cilat vijuan për ditë me radhë, policia nuk mundi të identifikojë asnjë autor.

4 muaj më vonë, më 6 qershor, Çapajt bien sërish pre e atentatit me armë. Po në Elbasan, makinës së Bledar Muçës në të cilën udhëtonte edhe Florenc Çapja i bëhet atentat. Për shkak të breshërisë së plumbave mbetet i plagosur Bledar Muçaj, si edhe një oficere policie, e cila ishte kalimtare e rastësishme në zonë, pasi jetonte aty pranë. Fatmirësisht pa asnjë dëmtim shpëtoi shënjestra e këtij sulmi, Florenc Çapja. Atentatori ka qenë në një lokal buzë rrugës, duke pritur makinën ku udhëtonte Çapja. Menjëherë sapo ka parë makinën ka nxjerrë një automatik nga një çantë sportive dhe ka hapur zjarr. Pas sulmit u largua në këmbë në disa rrugica. Edhe për këtë ngjarje policia e Elbasanit nuk ka asnjë të arrestuar.

Pas ngjarjeve që ndodhën në familjen Çapja, policia shtoi masat në Elbasan dhe pranë banesës së tyre për të shmangur ndonjë incident të mundshëm, por kjo situatë nuk u prit mirë nga këta të fundit, të cilët më 12 qershor 2016 hapën zjarr ndaj 2 punonjësve të policisë së vëzhgimit. Si autor të këtij sulmi policia arrestoi Ardian Çapja, Florenc Çapja e Bledar Muçën. Të tre po hetohen për vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa 6 të tjerë u proceduan për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetën.

Arrestimi i Emiliano Shullazit

Vetëm pak orë nga pas denoncimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për kërcënimin e kandidatit për Rektor të UT-së, Mynyr Koni, Policia e Tiranës shoqëron Emiljano Shullazin. Shoqërimi i tij ka ndodhur mbrëmjen e 16 prillit në vilën e tij te rruga e Kavajës. Pak orë më vonë, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë ardhur prokurorët të cilët kanë sjellë urdhër arrestin për të. Vetëm një orë më vonë policia arrestoi dhe mikun e Shullazit, Gilmando Danin, i cili shkoi vetë në polici për të pyetur për mikun e tij.

Mbrëmjen e 16 prillit u arrestua në Krujë dhe kushëriri i Shullazit, Blerim Shullazi të cilit policia i gjeti një sasi kanabisi, si edhe disa fishekë. Mbi 3 të arrestuarit të cilët cilësohen si grup i strukturuar kriminal rëndonin akuzat: Shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie, shkatërrim i pronës me eksploziv, dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e municionit. Sipas hetimeve, të cilat kishin nisur që në fillim të vitit, ky grup kriminal në kohë dhe qytete të ndryshme ka kërcënuar biznesmenë të ndryshëm duke u marrë shuma të konsiderueshme parash.

Në vijim të hetimeve policia në bashkëpunim me prokurorinë faktoi raste kur kryesisht biznesmenë nga Tirana e Durrësi janë kërcënuar nga Shullazi për marrje pasurie. Prokuroria hetoi edhe në lidhje me pronësinë e Shullazit mbi hotel “Vollgën”. Shullazi pretendon se këtë pronë e ka marrë me një certifikatë të rregullt dhurimi. Pavarësisht kësaj në dhjetor të 2016” Gjykata e Lartë riktheu për gjykim në Gjykatën e Apelit çështjen e pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Ankimimi në këtë Gjykatë u bë nga kompania “Saudi Brothers”, e cila paditi ZRPP, Hipotekën e Durrësit, për regjistrim të pronës.

Deri në sqarimin e pronësisë së hotelit, Gjykata e Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, vendosi ta sekuestrojë atë. Ndërsa Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë çështjen për rigjykim. Pas hetimeve të thelluara për këtë grup kriminal më 13 tetor policia më urdhër të Prokurorisë arrestoi nipin e Shullazit, Endrit Zela, si dhe mikun e tij Endrit Qyqja. Për dy të arrestuarit prokuroria thotë se i kanë marrë shuma të konsiderueshme një biznesmeni për llogari të Shullazit.

Vrasja e Elton Çiços dhe seria e hakmarrjes

Mbrëmja e Pashkëve të vitit 2016, ka qenë një natë terrori për banorët e zonës së ish-Bllokut në kryeqytet. Mbrëmjen e 1 majit në lokalin “De Niro” mes njerëzve u ekzekutua me 2 plumba në kokë 36-vjeçari Elton Çico. 36-vjeçari ka qenë në një tavolinë me tre persona të tjerë. Dy prej të cilëve u arrestuan disa ditë më vonë pasi kryen veprime që penguan zbardhjen e të vërtetës. Mjeku Redian Rrahja dhe polici Alban Trimi fshehën pistoletën e viktimës dhe disa sende personale të tij. Pas disa javësh të dy u lanë të lirë nga Gjykata.

23 ditë më vonë pas kësaj vrasje, policia identifikoi autorët e saj. Më 24 maj në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë së Tiranës tha, se autorë të kësaj ngjarje janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi.

Zbulimi i autorëve të kësaj ngjarje bëri që policia të ndërtojë një zinxhir atentatesh që grupi i Çiços dhe i Aliajt kanë bërë mes njëri-tjetrit në vite. 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe 4 atentate të dështuara, është bilanci i deritanishëm nga përplasja mes grupeve kriminale të Elton Çiços dhe Jani Aliajt. Hakmarrja 16-vjeçare është zhvilluar jashtë dyerve të policisë, pasi në kaq shumë ngjarje kriminale policia ka arrestuar vetëm 1 person për moskallëzim krimi. Zanafilla është në vitet 2000 kur Aliaj ka vrarë mikun e fëmijërisë së Çiços. Pas kësaj ngjarjeje të 2 zhvendosen në Greqi.

Në kohë të ndryshme bien në burg për trafikim lëndësh narkotike dhe konfliktet mes tyre vijojnë edhe brenda hekurave. Pas konflikteve që Çiço dhe Aliaj patën me njëri-tjetrin në shtetin grek, përplasjet u zhvendosën në Shqipëri, në një sagë atentatesh dhe eliminimesh. Më 30 mars të 2015, Elton Çiços i grabisin dhe i dhunojnë prindërit në

Tepelenë. Policia identifikoi vetëm 2 prej grabitësve dhe i shpalli në kërkim. Ndaj të dy këtyre personave Çiço u hakmor, duke e vrarë njërin, dhe tjetrit duke i bërë atentat me tritol. Më 10 janar të 2016-s te Rruga e Kavajës në shënjestër të plumbave u vu Jani Aliaj. Policia sërish nuk identifikoi dot atentatorin. Të njëjtit person iu bë atentat më 25 prill në Gjirokastër duke e plagosur lehtë në dorë. Një javë më vonë, më 1 maj të 2016 vjen kundërpërgjigja e Jani Aliajt. Në lokalin “De Niro” në ish-Bllok vritet Elton Çiço.

Sipas Policisë, autorët e kësaj vrasje janë Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, të cilët janë edhe sot në kërkim. Burimet nga policia thonë së për atentatin 2 të shpallurit në kërkim u ndihmuan nga Nelgert Pata, të cilit iu bë atentat me 21 gusht te rruga e Kavajës. Policia nuk identifikoi dot autorët dhe shpalli në kërkim të plagosurin Pata. Pas 3 muajsh arrati, Nelgert Pata nuk gjendet nga policia, por nga atentatorët, të cilët e ekzekutuan më 20 nëntor në Fier. Në sagën e përplasjeve mes grupeve është edhe atentati i 28 tetor të këtij viti ndaj Andi Mustafarajt mikut të Çiços, i cili mbeti i plagosur.

Krimi në familje

Ky vit ka qenë i mbushur dhe me ngjarje të rënda të cilat prekin familjen. Që në ditën e parë të vitit që lamë pas, opinioni publik u shokua nga një krim në familje, ku burri vrau gruan në një fshat të Sarandës. Për fat të keq ngjarje të tilla u përsëritën edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku viktima nuk mbetën vetëm bashkëshortët, por edhe fëmijët. /News24/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img