4.8 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Ekspertja e psikiatrisë konstaton se i akuzuari për vrasjen e djalit të tij në Podujevë nuk ka ngecje mendore

Ekspertja e psikiatrisë nga Instituti i Psikiatrisë Forensike, Arife Veselaj deklaroi se pasi që ka qenë anëtare e hartimit të raportit lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarit Naim Smajli për vrasjen e djalit të tij në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës ka ardhur në përfundim se i njëjti nuk ka ngecje mendore.

Një deklarim të tillë e njëjta e dha në seancën e së mërkurës, të mbajtur në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Abit Asllani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Naim Smajli po akuzohet nga Prokuroria Themelore për veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj E.S, ku i ndjeri ishte djalë i të akuzuarit si dhe për veprën penale “Mbajte në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për seancën e sotme kryetarja e trupi gjykues, Alltën Murslei deklaroi se gjykata kishte ftuar ekspertin Gani Halilaj mirëpo i njëjti ka njoftuar se ka dalur në pension andaj ka propozuar të thirret eksperti Arsim Gashi, mirëpo pasi që i njëjti s’ka mund të jetë prezent, në seancën e sotme është ftuar dhe ka filluar deklarimin psikologia klinike, Arife Veselaj.

E njëjta, sa për sqarim të gjykatës tha se, sa i përket raportit të ekspertizës gjithmonë marrin pjesë tre anëtarë për shkak të objektivitetit, dy të fushës së psikiatrisë dhe një psikologe me qëllim të konstatimit të gjendjes mendore emocionale e intelektuale të personalitetit të pacientit.

Psikologia klinike mes tjerash deklaroi se, kërkese kryesore e gjykatës ka qenë të konstatohet nëse i akuzuari Naim Smajli vuan nga ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore.

“Një prej çrregullimeve që është përjashtuar nga ana ime gjatë vlerësimit, duke iu përmbajtur kërkesës së gjykatës është përjashtimi i çrregullimit të zhvillimit intelektual”, deklaroi ekspertja Veselaj.

Ajo gjithashtu tha se kanë ardhur në përfundim se pavarësisht dinamikave, analiza e veprimeve para gjatë dhe pas veprës penale tregon që nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë faktor që ka mund ta pengojë apo të ndikojë në uljen e aftësisë mendore që personi të mos jetë në gjendje të mendoj dhe t’i parashikoj veprimet e tij .

Tutje, avokati Asllani ka kërkuar që për sqarimin e raportit mjekësor të përpiluar lidhur me gjendjen e shëndetit mendor të të mbrojturit të tij të ftohet një ekspert i forenzikës neuropsikiatrike për seancën e radhës.

Një propozim i tillë është aprovuar nga gjykata, andaj edhe seanca e sotme ka përfunduar, ndërsa e radhës është caktuar për datën 4 shtator të këtij viti.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë me 22 dhjetor të 2022 N.S rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore lidhur me çështje pronësorë me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

Me këto veprime N.S akuzohet nga prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.(KPRK).

Gjithnjë sipas aktakuzës N.S nga data e pacaktuar e deri me datën 13 qershor të 2022, ka mbajtur në pronësi armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ka kryer edhe veprën penale “Mbajte në Pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img