Ekspertët Ligjorë në Prishtinë, Flamur Dylhasi dhe Musa Gashi, si dhe eksperti nga Tirana, Sokrat Meksi, do t’i japin fund paqartësive rreth mënyrës së vdekjes së ish-zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa më 29 janar të vitit 2013.
Kjo ekspertizë, e katërta me radhë, pritet t’i jap fund hetimeve maratonike të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj familjarëve të Sopës, bashkëshortes Teuta dhe dy vajzat Erna dhe Artinë Sopa.
“Indeksonline” ka siguruar vendimin e prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Besa Krajku, në të cilën urgjentisht kërkohet të analizohen dhe të ekzaminohen të gjitha dëshmitë dhe tri raportet e deri tashme të ekspertëve mjekoligjor vendor, të Eulex-it dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas këtij vendimi, pjesë e ekipi të ekspertëve ligjor ka qen Carls Winskog, profesor i Forenzikës Patalogjike, mirëpo i njëjti është kthyer në vendin e tij, dhe si zëvendësim është vendosur eksperti nga Tirana Sokrat Meksi.
Indeksonline, mëson se kjo ekspertizë është pothuajse në përfundim dhe shumë shpejt pritet t’i dorëzohet prokurores së rastit.
Të kontaktuar nga “Indeksonline” zyrtarë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë përveç që konfirmuan kërkesën për ekspertizë të katërt, nuk japin detaje shtesë për këtë rast.
“ Ju njoftojmë se Prokurori i rastit ka kërkuar një ekspertizë të re për rastin në fjalë”, është shprehur zëdhënësi i prokurorisë, Ekrem Lutfiu.
Ndërkohë në këtë vendim të prokurores Besa Krajku, përveç që kërkohet ekspertizë urgjente, jepen detaje të ekspertizës së parë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku thuhet se Sopa ishte therur me thikë në abdomen disa herë dhe ishte goditur prapa kokës me një mjet të topitur para se të binte nga ballkoni.
Mjekët e autopsisë po ashtu sipas këtij vendimi kishin deklaruar se nuk ka qenë e mundur që viktima ta ketë therur vetën me thikë, dhe po ashtu sipas tyre, Sopa ishte pa vetëdije para se të binte nga ballkoni si rezultat i goditjes prapa koke me mjet të topitur.
Në dokumentin e prokurorisë po ashtu thuhet se gjatë bastisjes në apartamentin e të ndjerit ishte gjetur një thikë në banjë nën makinën e larjes së rrobave, e cila ishte e mbështjellë me një gjësend rrobash dhe ishte e mbuluar me gjak.
Derisa ekspertiza e parë e bërë nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë pati konstatuar se shenjat në trupin e viktimës tregojnë se i njëjti është vrarë, ekspertizat e mjekëve ligjore të Eulex-it dhe ekspertit nga Anglia kanë konstatuar se i njëjti ka kryer vetëvrasje.
Ndryshe, bashkëshortja Teuta dhe dy vajzat e Hamdi Sopës, Erna dhe Artinë Sopa, po vazhdojnë të mbrohen në liri, nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortit, respektivisht babait të tyre me 29 janar 2013, pasi të njëjtat ishin të pranishme në banesën e të ndjerit, deri sa i njëjti dyshohet të jetë hedhur nga kati i nëntë. /Gita Lushi/ Indeksonline