Eksperti psikiatrik, Ajet Bunjaku, ka thënë se i akuzuari Albion Strelli në momentin kur i ndjeri A.S i është kërcënuar me lopatë, reagimi i tij ka qenë instiktiv e assesi i një tronditje të rëndë mendore.
Një deklarim të tillë eksperti Bunjaku, e ka dhënë në gjykimin për vrasjen e rëndë e cila kishte ndodhur në maj të 2020-ës, ku nga vëllezërit Albion dhe Berat Strelli kishte mbetur i vrarë kolegu i tij, i ndjeri A.S.
“Me fjalët e lexuara në ekspertizë, ato janë fjalë të Albion Strellit të shënuara në raportin e psikologes, sa i përket reagimit të Albion Strellit, në momentin kur i ndjeri i është kërcënuar me lopatë , reagimi i Albioni Strellit ka qenë reagim instiktiv, e assesi i një tronditje të rëndë mendore, mu për shkak të karakteristikave që i thash edhe më parë, reagimi i tij ka qenë dhe si reagim reflektiv i nxjerrës së revoles, dhe tentim të frikësimit me gjuajte lartë”, ka thënë eksperti Bunjaku.
Sipas ekspertit, termi tronditje e rëndë mendore do të thotë kur një person pëson çrregullim të emocioneve dhe në këtë rast edhe frikë, pra sipas tij, mund të thuhet se ekziston kur personi në këtë gjendje nuk është i vetëdijshëm për veprimet e veta, sjelljet e veta dhe për pasojat e atyre veprimeve.
Tutje, sipas tij, për një periudhë kohore shumë të shkurt nga momenti i veprimit të elementit i cili shkakton tronditje mendore tek ai person, kemi çrregullim të momentit të vetëdijes në kuptim të turbullimit e jo humbjes së vetëdijes.
“E në rastin konkret gjatë deklaratave të Albionit, këto nuk kanë ekzsitu sepse i njëjti çdo herë ka deklaruar se nuk ka pas qëllim që ta vras, por ta frikësojë dhe pas shkrepjes e ka kërkuar vëllain e vet se ku gjendet, ka kërkuar nga ai që t’i bashkëngjitet dhe ka shku drejtë në veturë e janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë tutje eksperti Bunjaku.
I pyetur nga mbrojtësja e të akuzuarit Strelli avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi se shkrepja e armës me qëllim të frikësimit a ka nënkuptuar edhe zmbrapsjen e sulmit të atëçastshëm, eksperti Bunjaku tha se zmbrapsja nuk është term që i përket atij ta interpretoj, ndërsa frika po.
Po ashtu, ai tha se nuk është kompetencë e tij të thotë se vrasja ka qenë aksidentale.
I njëjti ka thënë se e shtëna në ajër nga Albion Strelli nënkupton se i pandehuri e ka ruajtur vetëdijen edhe ka mundur me i parapa pasojat.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Gashi-Bytyqi, eksperti Bunjaku ka thënë se ofendimi me nënë dhe motër tek disa persona mund të shkaktoj shqetësim të lehtë, mund të shkaktoj hidhërim mirëpo në raste të rralla mund të shkaktoj tronditje mendore.
Periudha e zbritjes nga kombi, shkuarja në shtëpi për ta marr veturën dhe arritja në vendin e punës dhe pastaj ndarja e vëllezërve kur Albioni shkon tek Tefiku ndërsa Berati shkon të regjistrohet në listën e punëtoreve, sipas ekspertit Bunjaku na bënë të kuptojmë se kjo kohë ka mjaftuar që të njëjtit të qetësohen nga shqetësimi i zbritjes nga kombi dhe të gjitha këto veprime na bëjnë me kuptuar se ka ra tensioni.
Sipas ekspertit Bunjaku, nëse një person ka labilitet në vendim marrje dhe është ambivalent që ta kryej një veprim, atëherë dikush tjetër e posaçërisht nëse është i lidhur me atë person me ndonjë lidhje emocionale mund të ketë ndikim në veprimet konkrete të personit tjetër.
Mirëpo sipas tij, në asnjë rast i akuzuari Albion Strelli nuk ka bërë me dije se ka qenë i shtyer nga vëllai i tij që t’i ndërmerr veprimet të cilat i ka pranuar.
Gjithashtu, Bunjaku deklaroi se gjatë kohës së qëndrimit të Albionit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës –IPFK, dhe gjatë bisedave me të, sa herë që është diskutuar rreth ditës kritike i njëjti ka qenë i shqetësuar dhe në disa raste edhe ka qarë.
Fillimisht, eksperti Bunjaku ka thënë se për karakteristikat personale të të akuzuarit Strelli më kompetentë është psikologu por sipas tij nga të dhënat e përfituara ai tha se Albioni është një djalë i sjellshëm i cili respekton të tjerët, ka respektuar edhe familjen dhe ka mbajt përgjegjësi për mirëqenien e familjes.
Gjithashtu eksperti tha se kanë kuptuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem me rrethin se ku jeton.
Seancat e radhës për këtë çështje penale janë të caktuara më 23 nëntor, si dhe 14 dhjetor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Albion Strelli po akuzohet se më 6 maj 2020, në ora 07:40, në punishten e qendrës së re tregtare, afër rrethit të QMI-së, Komuna e Graçanicës, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të tij dhe tani të ndjerit A.S, për shkak të transportit me veturën kombi, i cili ishte në pronësi të firmës ku ishin duke punuar së bashku, të pandehurit Albion dhe Berat Strelli shkuan në shtëpinë e tyre, ku e kanë marrë armën e tipit “Zoraki M2906-B” dhe janë kthyer përsëri në vendpunishte me veturën e tyre private.
Sipas prokurorisë, pas fjalosjes në mes të të akuzuarit Albion dhe tani të ndjerit A., Albioni me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë tri herë me armë në drejtim të tani të ndjerit A., duke e vënë në rrezik edhe jetën e shumë personave tjerë, me ç’rast tani i ndjeri A.S është qëlluar tri herë në fytyrë dhe kokë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika nën paragrafi 1.5 te KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Albion Strelli, nga data e papërcaktuar e deri më 6 maj 2020, pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e llojit “Zoraki M2906B”, duke shkelur ligjin.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Albion Strelli se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me dashje ka shtyrë të pandehurin Albion Strelli – vëllanë e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes, në atë mënyrë që pas fjalosjes te kombi kanë shkuar së bashku me të pandehurin Albion në shtëpi, e kanë marrë armën e llojit “Zoraki” dhe me veturën e tyre kanë shkuar në vendin e punës dhe pasi që tani i ndjeri A. e ka thirr në emër Albion, e në ato momente Berati i ka thënë Albionit ‘qëlloje-shkrepja’, më pas Albioni e ka qëlluar tri herë me plumba në fytyrë dhe kokë.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Berat Strelli se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 32 të KPRK-së, njofton betimiperdrejtesi.