Katër gushti është afati i fundit kur mund të jepet draft statusi për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Por, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka pranuar atë nga ekipi menaxhues.
Ndërsa, njohësit e Kushtetutës thonë se kjo marrëveshje ka së paku 40 shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe si e tillë nuk duhet kurrsesi të pranohet.
Profesori universitar, Riza Smaka, në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se serbët tashmë janë shumë të priveligjuar në Kosovë dhe Asociacioni vetëm sa do e desfunksionalizonte shtetin e Kosovës.
“Serbët e kanë statusin e super-privilegjuar sipas propozimit të Ahtisaarit edhe Kushtetutës së Kosovës. Por, nëse përfaqësuesit e shtetit tonë e miratojnë këtë nismën që bëhet, ajo nuk mund të bëhet ndryshe pos në harmoni me Kushtetutën, nuk guxon të ketë autorizime të cilat do ta tejkalonin ato korniza që përcaktohen në Kushtetutë. Çdo jurist aty e ka pas të qartë se ajo marrëveshje ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, ajo jo 20, por më së paku 40 shkelje të Kushtetutës janë bërë në atë projekt”, ka thënë ai.
Smaka është shprehur se pret që as presidenti, kryeparlamentari dhe as kryeministri të mos pranojnë konsesione për AKS-në. Ai ka kujtuar rastin e Bosnjës ku e ka quajtur pseudo-shtet dhe ka thënë se Asociacioni vetëm sa do ishte edhe një digë tjetër drejt mos-funksionalizimit të Kosovës.
Ndryshe, Smaka ka deklaruar se askush nuk është i autorizuar ta shkelë Kushtetutën, ndërsa për përfaqësuesit shtetërorë ka thënë se e kanë të lehtë për këtë çështje meqë vet Kushtetuta e Kosovës i ka miratuar propozimet e Marti Ahtisaarit.
“Besoj dhe shpresoj që as presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit nuk do të pranojnë të bëhen koncesione të vendit tonë. Nëse ata shkojnë shumë të përgatitur, këta e kanë lehtë sepse e kanë Kushtetutën e cila i ka pranuar të gjitha propozimet e Marti Ahtisaarit dhe sipas tij minoritetit serb iu kanë garantuar juridiksion e kompetenca që nuk i ka asnjë shtet në botë. Ne nuk kemi autorizime që ta shkelim Kushtetutën. Nuk duhet të bëjmë lëshime për çështje substanciale, nuk janë këto cikrrima”, është shprehur ai.
Sipas Smakës, kjo marrëveshje që nga fillimi është e gabuar meqë nuk është dashur të nënshkruhet diçka pa analizë dhe ekspertizë.