Site icon PrishtinaPress

Eksperti i sigurisë, Shala: Kosova do prodhojë dronë dhe do të jetë lider në Ballkanin Perëndimor

“Kosova do të prodhojë dronë të tipit Bayraktar”, kështu ka thënë eksperti i Sigurisë në Kosovë, Drizan Shala.

Në një prononcim për Telegrafin, Shala tha se prodhimet e para do të dalin në 2028-ën, pas përmbylljes së planit gjithëpërfshirës 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së.

Sipas tij, dronët do t’i shërbejnë në përbushjen e misionit dhe mandatit të FSK-së, që është mbrojtja e integritetit territorial.

“Industria ushtarake e Republikës së Kosovës, tani më ka filluar të frymëzohet në kontekstin e përmbushjes së nevojave të saja. Në këtë aspekt për herë të parë do të dalin dronët të cilët do të prodhohen në në Kosovë. Dronët do t’i shërbejnë në përbushjen e misionit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që është mbrojtja e integritetit territorial”.

Shala theksoi se për këtë, Kosova do të jetë lider në Ballkanin Perëndimor në përmbushjen e nevojave edhe të partneritetit me NATO-n.

“Prodhimet e para do të dalin në 2028-ën, pas përmbylljes së planit gjithëpërfshirës 10 vjeçar të tranzicionit, ku FSK-ja do të këtë edhe emrin e saj, Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe me këtë rast do t’i ipet mundësia që të avancojë më tutje pa pengesa. Ky është një hap i duhur dhe i domosdoshëm që tani për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, dronët të modelit Bayraktar, të teknologjisë së saj do të prodhohen në Republikën e Kosovës, dhe ne do të jemi lider në Ballkanin Perëndimor, në përmbushjen e nevojave edhe të partneritetit të cilin do të bëjë Kosova nga Partneriteti për Paqe në programin e NATO-s drejt avancimit potencial për të qenë anetare e plotë”, u shpreh eksperti Shala.

https://host.vpplayer.tech/player/ptkzurms/vjsnpoya.html

“Me këtë gjë, mund të themi se lidere e dronëve, me teknologji të fundit do të jetë Kosova, dhe kjo do të ndihmojë me tutje në avancimin e sigurisë kolektive, të vendeve anëtare të NATO-s, që verpojnë në Ballkanin Perëndimor që janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, etj.. Mund të themi se Kosova do të jetë njëra nga shtyllat përpos Turqisë që tani më ka të avancuar teknologjinë e Bayraktarëve”, deklaroi Shala.

Lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës, ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe një vendim për blerjen e dronëve amerikanë, ndërkaq autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se ushtria e ardhshme do të pajisjet edhe me helikopterë. Përveç kërkesës për blerje të raketave Javelin, vitin e kaluar Kosova bleu nga Turqia edhe dronë Bayraktar.

Transformimi i FSK-së në Ushtri

Procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosura të Kosovës nisi në dhjetor të vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për ta ndryshuar mandatin e FSK-së. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet, deri në vitin 2028.

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, detajet e të cilit nuk janë publike, disa nga përgjegjësitë e reja të FSK-së do të përfshinin ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.

Në fazën e tretë dhe të fundit të transformimit të FSK-së – që nis nga viti 2025 e përfundon më 2028 – Gashi ka thënë se planifikohet ngritja e kapaciteteve ajrore, siç është blerja e helikopterëve dhe mjeteve të tjera ajrore.

FSK-ja, aktualisht, ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet në mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarë aktivë dhe rezervistë.

Exit mobile version