Site icon PrishtinaPress

Eksperti i sigurisë: Krimi është në rritje për shkak të përqendrimit të institucioneve në komunat veriore

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bejtush Gashi, vlerëson se sektori i sigurisë publike në vend është në rënie për shkak të koncentrimit të madh të institucioneve të sigurisë në katër komunat në veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se angazhimi në veri ka zvogëluar angazhimin në pjesët tjera të vendit.

“Sektori i sigurisë publike është në rënie sepse koncentrimi aktual i ministrisë, Policisë, është në katër komunat e veriut dhe në këtë drejt është anashkaluar angazhimi në përgjegjësitë dhe detyrimet që ky institucion ka në pjesët tjera të vendit. Për pasojë, ndryshimet që janë bërë shkojnë në drejtimin që të zvogëlohet pjesa operacionale dhe prania fizike e policëve në terren dhe të rritet numri i burokratëve ose i zyrtarëve që rrinë në karrige. Janë shtuar 32 drejtori, është ngritë në departament divizioni i njësive speciale, të gjithë këto ndryshime, pra rritja e strukturës së zyrtarëve që rrinë në zyre zvogëlon numrin e zyrtarëve që shërbejnë në terren”, ka theksuar ai.

Gashi ka shtuar se ka mungesë të zyrtarëve policorë, mungesë të zyrtarëve në vende të targetuara si vende të mundshme për probleme dhe “mosprezenca fizike e zyrtarëve policorë ka ndikuar që shkalla e krimit të jetë në rritje”.

Sipas tij, do të duhej të kishte dorëheqje morale për shkak të krimit në rritje pas ngjarjeve të fundit në vend me disa të vrarë.

“Në kushte normale dhe shtete ligjore ish dashtë të ketë reflektim nga menaxhmenti i lartë i dy institucioneve, qoftë ministrisë apo Policisë. Por, nga praktika asnjëherë nuk ka ndodhur të jenë dorëheqjet si rezultat i mosangazhimit të drejtpërdrejt”.

Gashi ka përmendur një raport të Inspektoratit Policor, duke theksuar se koha e reagimit të Policisë është jashtëzakonisht e gjatë. Më shqetësuese e sheh se si edhe pse me lokacion gjendet shumë afër lokalit “Bon Vivant” ku ndodhi vrasje disa natë më parë, Policisë iu deshtë kohë të arrinte.

“Një raport i Inspektoratit me vërejtje dhe sugjerime që duhen të ndërmerren në rrafshin operacional, por asnjë nga ato vërejtje nuk janë marrë parasysh. Si rritja e funksionalizimit operativ, prania fizike, reagimi, shkalla e reagimit. Edhe pse zyrtarisht e kemi shkallën policor nga momenti i thirrjes deri tek arritja në vend të ngjarjes jashtëzakonisht të lartë. E mora një informacion që në disa shtete evropiane ka arritur shkalla e reagimit të jetë nën 100 sekonda, kurse shkalla e reagimit në Kosovë është rreth 14 minuta nga momenti kur informohet Policia. Është kohë shumë e gjatë”.

“Aktivitetet kriminale që kanë ndodhur në qendër të qytetit krijojnë një pasiguri edhe më të madhe për shkak të afërsisë fizike që ky lokacion është ndodhë, dhe vonesës së Policisë në reagim për tu përballur me kryesit e veprave”.

Ndërkaq, Gashi ka përsëritur se situata e krijuar në vend kohën e fundit “vjen si pasojë e përqendrimit të ministrisë dhe Policisë kryesisht në katër komunat e veriut të Kosovës”.

Gashi thotë se Mehaj mund të jetë dorëhequr për arsye të tjera, jo personale

Gashi, thotë se dorëheqja e Armend Mehajt nga pozita e ministrit të Mbrojtjes mund të ketë ndodhur për arsye të tjera nga çfarë ka arsyetuar ai.

Gashi ka thënë se dorëheqjen e Mehajt e ka pritur për shkak të disa zhvillimeve që janë ndërlidhur me përgjegjësitë e tij si ministër.

“E kam pritur një dorëheqje pasi këtë vit kanë ndodhur disa zhvillime që në mënyrë të drejtpërdrejt kanë pasur impakt në përgjegjësinë që ministri ka. Largimi nga Defender 2023 ishte një nga faktorët e drejtpërdrejt që mund të ketë ndikuar. Dorëheqjen e ka arsyetuar si pasojë e problemeve që ka në familje”, ka thënë Gashi në “Interaktiv”.

Sipas Gashit, në dy vjet e gjysmë sa ka udhëhequr Mehaj dikasterin e Mbrojtjes, ka pasur arritje që janë shënuar.

Por, ka theksuar se pritjet e tij kanë qenë më të mëdha.

“Pritjet e mija kanë qenë më të mëdha sepse prej faktit ku është arsimuar kam pritur që ai të jetë më produktiv në raport me përgjegjësitë si ministër. Do nënkuptonte më transparent dhe më i zhdërvjelltë në përmbushjen e detyrave ligjore dhe kushtetuese që ka. Nuk janë aprovuar ende dokumentet strategjike që ka obligim Ministria e Mbrojtjes t’i aprovojë”.

E për ministrin e ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Gashi ka theksuar se ka mundur të arrijë në nivelin maksimal të gradimit në FSK.

“Pritjet e mija kanë qenë që ai në karrierë të arrijë në nivelin maksimal të gradimit, megjithatë dorëheqja nga uniforma dhe përcaktimi i tij që të jetë i angazhuar në politikë është çështje e zgjedhjes personale”.

Exit mobile version