Një ekspert i financave në futboll ka dhënë mendimin e tij mbi sa pikë mund të humbasë Manchester City nëse shpallet fajtor për shkeljet e supozuara të rregullave të Premier League.
Seanca për shkeljet e pretenduara të City-t u zhvillua përpara një komisioni të pavarur midis shtatorit dhe dhjetorit 2024.
Akuzat lidhen kryesisht me një periudhë nëntëvjeçare, nga viti 2009 deri në 2018, ku City akuzohet për një sërë shkeljesh – të cilat klubi i mohon tërësisht.
City u akuzua për:
Dështim në ofrimin e informacionit të saktë,
Dështim në paraqitjen e detajeve të sakta mbi pagesat e lojtarëve dhe trajnerëve,
Shkelje të rregullave të fitimit dhe qëndrueshmërisë financiare (PSR),
Mosrespektim të rregulloreve të UEFA-s, përfshirë Fair Play-in Financiar (FFP),
Mosbashkëpunim me hetimet e Premier League.
Kampionët e Anglisë fillimisht u akuzuan për 115 shkelje të rregullave të Premier League. Megjithatë, sipas The Times, numri i vërtetë mund të jetë deri në 130 për shkak të konfuzionit mbi ndarjen e akuzave nga Premier League.
Ndërsa seanca tashmë ka përfunduar, nuk është konfirmuar ende se kur do të jepet apo bëhet publik vendimi. Megjithatë, nëse City shpallet fajtor, komisioni ka “fuqi të pakufizuara”, të cilat përfshijnë heqjen e pikëve apo edhe rënien nga kategoria, sipas BBC Sport.
City fillimisht u shpreh se ishte “i befasuar” nga akuzat dhe pretendoi se ka “prova të pakundërshtueshme” për mbrojtjen e tij.
“Manchester City është i befasuar nga këto akuza për shkelje të rregullave të Premier League, veçanërisht duke marrë parasysh bashkëpunimin tonë të gjerë dhe sasinë e madhe të materialeve të detajuara që i kemi ofruar EPL-së,” thuhej në një deklaratë të klubit të publikuar në shkurt 2023.
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, deklaroi se vendimi mund të jepet brenda “një muaji”, gjatë një konference për shtyp përpara fitores 2-1 të ekipit të tij në raundin e katërt të FA Cup kundër Leyton Orient më 8 shkurt.
“Mendoj se brenda një muaji do të ketë një vendim dhe një dënim,” tha Guardiola. “Pas kësaj, do të shohim mendimin tim mbi atë që ka ndodhur deri më tani.”
Tani, eksperti i financave në futboll, Kieran Maguire, ka dhënë vlerësimin e tij mbi akuzat dhe dënimin e mundshëm për City, nëse shpallet fajtor.
“Numri 115 është bërë tashmë një legjendë, por kjo është e çuditshme sepse A: në të vërtetë janë 130 akuza,” tha Maguire në një intervistë për Tear Us Apart.
“Dhe B: realisht janë vetëm tre shkelje kryesore.”
“Nëse shpallen fajtorë, dënimi pritet të jetë shumë më i ashpër se ai që morën Everton dhe Nottingham Forest.”
Sezonin e kaluar, Everton u dënua dy herë me zbritje pikësh. Fillimisht iu hoqën 10 pikë në nëntor 2023, pasi u shpall fajtor për shkelje të rregullave financiare të Premier League, por më vonë ky dënim u reduktua në 6 pikë pas apelimit. Në prill 2024, klubi u dënua përsëri me 2 pikë për një tjetër shkelje financiare.
Sa i përket Nottingham Forest, atyre iu hoqën 4 pikë në mars 2024, dhe apelimi i tyre u refuzua nga bordi i apelimit.
“Pra, nëse shpallen fajtorë, duhet të ketë heqje pikësh,” shtoi Maguire. “Për mosbashkëpunim, mund të jepet një gjobë… Por unë mendoj se po flasim për një dënim me heqje pikësh… diku nga 60 deri në 100 pikë”.