0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Eksperti amerikan për ujdinë në Ohër: Do të ishte absurde që BE-ja të kufizohej në monitorim, i duhet edhe ndihma e SHBA-së

Marrëveshja e fundit e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë në Ohër, për ekspertin amerikan, Alon Ben Meir, paraqet një zhvillim pozitiv në procesin e normalizimit në mes të dy vendeve.

Megjithatë, sipas tij, ka shumë pengesa dhe një numër të konsiderueshëm paqartësish që do ta bëjë të vështirë zbatimin e plotë të planit evropian.

Ben Meir ka thënë se optimizmi i shprehur nga i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak, se marrëveshja e re e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paraqet një “pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, mund të jetë i mbivlerësuar.

“Të sugjerosh që marrëveshja përfaqëson “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia, siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është më tepër mendim i dëshiruar. BE-ja dhe SHBA-ja mund të zbusin shumë nga pengesat, me kusht që ta bëjnë të marrë masa specifike për të përfshirë ligjshmërinë në marrëveshje nga njëra anë dhe të artikulojë qartë se çfarë përfitimi mund të nxjerrin Kosova dhe Serbia nga zbatimi i marrëveshjes dhe cilat do të jenë pasojat nëse nuk e bëjnë këtë”, ka thënë ai.

Ben Meir thotë se pengesat që do të hasin të dy palët përfshijnë: përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të penguar Serbinë nga krijimi i lidhjeve të forta me Perëndimin, ndërkohë që kërkon të destabilizojë Ballkanin, angazhimi i fortë i Vuçiqit për të ruajtur lidhjet e ngushta të Serbisë me aleatin e saj sllav, Rusinë, dëshira e tij për të kënaqur grupet e ekstremit të djathtë në vendin e tij, të cilat e shohin Kosovën si djepin e shtetit serb dhe të fesë ortodokse, mungesa e qartësisë se si të sigurohet një nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mungesa e një mekanizmi të qartë dhe të zbatueshëm për të zbatuar dispozitat e ndryshme të marrëveshjes në kohën e duhur.

Ai ka thënë se nëse marrëveshja mbetet jo ligjërisht e obligueshme, për shkak të faktit se nuk është nënshkruar, çdo qeveri e njëpasnjëshme qoftë në Kosovë apo në Serbi mund t’i shohin disa dispozita të marrëveshjes si kundërproduktive ose në kundërshtim me objektivat e tyre politike dhe nuk do ta respektojnë domosdoshmërisht atë.

Megjithatë, eksperti amerikan potencoi se meqenëse zbatimi i marrëveshjes në masë të madhe varet nga vullneti i mirë Kosovës dhe i Serbisë për ta zbatuar atë me besnikëri, i mbetet BE-së që të ushtrojë presion të vazhdueshëm mbi të dyja palët për të përmbushur obligimet e tyre.

“Kjo do të jetë e vështirë nëse BE-ja nuk punon me SHBA-në për të forcuar marrëveshjen dhe për të vënë në tryezë me qartësi “shkopin dhe karotat” nëse njëra ose të dyja palët dështojnë të përmbushin pjesën e tyre të marrëveshjes”.

Legjitimimi i marrëveshjes

Për të filluar, është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë plotësisht marrëveshjen dhe të përdorë peshën e saj për të siguruar që aplikimet e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare duke përfshirë OKB-në janë pranuar, thotë Ben Meir.

Siç theksoi ai, do të ishte absurde që BE të kufizohej në monitorim.

“Ajo duhet të jetë proaktive dhe të kujdeset që të gjitha dispozitat në marrëveshje të zbatohen në kohën e duhur”.

Së treti, shtoi ai, është kritike që përpara se Kurti të fillojë të zbatojë vetëmenaxhimin për zonat me shumicë serbe në Kosovë, Vuçiq të fillojë me zell të përmbushë zotimet e tij, veçanërisht për shkak se ai dihet se i anulon premtimet e bëra në të kaluarën.

Tutje, Ben Meir thotë së BE-ja duhet ta regjistrojë marrëveshjen me Sekretariatin e OKB-së për t’i dhënë asaj legjitimitet dhe zbatueshmëri.

Siç tha “me të drejtë Kurti, tani i takon BE-së ta bëjë atë ndërkombëtarisht të detyrueshme”.

Dhënia e stimujve

Ben Meir ka shpjeguar se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë të qarta për përfitimet që mund të nxjerrin të dyja vendet nëse përmbushin detyrimet e tyre siç parashikohen në marrëveshje.

Për Kosovën, është veçanërisht e rëndësishme që pasi zbaton me besnikëri dispozitat e ndryshme të marrëveshjes, Kosova sheh një rrugë të qartë drejt integrimit në BE, bind pesë shtetet e BE-së (Qipro, Spanjë, Greqi, Rumani dhe Sllovaki) që ta njohin si shtet të pavarur, gjë që është thelbësore që Kosova të aplikojë gjithashtu për anëtarësim në NATO.

“Kosova duhet të shohë se BE-ja ofron ndihmë financiare për të dy vendet. Për këtë qëllim, BE-ja duhet të përmbushë premtimin e saj për të organizuar një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë”.

Megjithatë, ai beson se duhet t’u jepet njëfarë ndihme financiare të dyja vendeve nga SHBA dhe BE shumë më shpejt, me kusht që të fillojnë menjëherë procesin e normalizimit.

“Marrëveshja specifikon me mençuri që të dy vendet angazhohen për të përmirësuar lidhjet e tyre dhe pranon se çdo dështim për të respektuar angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për anëtarësimin e tyre në BE së bashku me ndihmën financiare që marrin nga BE. Ndryshe nga çdo marrëveshje e mëparshme që nga viti 2011, kjo marrëveshje ka një shans më të mirë për të pasur sukses, me kusht që BE-ja në veçanti, jo vetëm të monitorojë progresin që po bëhet, por të ushtrojë çdo presion të nevojshëm për të detyruar të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen në tërësi në besim të mirë”, tha ai.

Ai përfundon duke thënë se me qëllimet më të mira, do të duhen ende disa vite para se Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës – ndoshta jo para se Putini të largohet nga skena politike, teksa shton se Vuçiq e ka thënë këtë herë pas here “as BE-ja dhe as Kosova nuk duhet të kenë ndonjë iluzion se njohja reciproke është afër”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img