Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se nuk mund të ketë flitet për krahasime, e aq më pak të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
“Kosova, në mënyrë ironike, është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsion dhe krimin e organizuar. Dhe këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnjë”, ka pohuar ai për REL-in.
Joseph ka thënë se nuk e di nëse arsye për mungesën e ftesës është vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Në disa raste është përmendur edhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë – Serbi si një prej shkaktarëve që mund ta kenë nxitur përjashtimin e këtyre dy vendeve nga Samiti, por për Josephin “kjo kërkon më shumë sqarim”.
Sipas tij Kosova ka përmbushur standardin e kërkuar për demokraci, si dhe ka theksuar faktin që Kosova është vend me orientim të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Dhe kushdo që merr pjesë në këtë Samit, zotimet që vendet pjesëmarrëse duhet të marrin mbi vete priten të jenë ambicioze – përfshirë këtu edhe vendin nikoqir, Shtetet e Bashkuara.
Samiti shihet si një prej përpjekjeve kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden, për ta kthyer vendin në rolin e liderit global, për t’u përballur me Rusinë dhe Kinën.