Tërmeti i së hënës në Turqi ishte më i madhi ndonjëherë në Evropë. E një me përmasa të tilla mund të ndodhë edhe në Kosovë, pasi konsiderohet si regjion i rrezikuar ngaqë ka kontakt me dy pllaka të mëdha tektonike. Në njërën anë me atë të Afrikës që shtyn euro-aziatiken dhe qëndron në themel të saj. Kështu ka thënë profesori dhe sizmologu Shemsi Mustafa.
Ai i tha KOHËS se zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë Peja-Istogu, Ferizaj-Viti-Gjilan dhe Prizreni-Gjakova, ndërsa zonat me rrezikun më të ulët janë Drenica dhe Prishtina e Mitrovica.
“Këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitudë maksimale 6.5 shkallë të rihterit, ndërsa zona sizmike e Drenicës, Prishtinës e Mitrovicës, mund të gjenerojnë tërmete me magnitudë maksimale 6.1 shkallë”, deklaroi Mustafa.
Ai tha se tërmeti më i madh që ka goditur Kosovën ishte në vitin 1921, në zonën Viti-Ferizaj-Gjilan, me një magnitudë prej 6.1 shkallë të rihterit dhe me intensitet prej 8.5 ballë merkali.
Sipas sizmologut, tërmetet në parim nuk mund të parashikohen pasi s’ka pajisje parashikuese, por vetëm nëpërmjet probabilitetit dhe faktorëve, mund të ketë studime parashikuese.
Tërmetet shkaktohen kur akumulohet energji për një periudhë të gjatë dhe brenda tokës, “manteli i jashtëm” vepron si rrymim konveksional. Nga kjo, temperaturat e larta shkaktojnë presion në çlirimin e një sasie të energjisë dhe për pak sekonda, krijohet lëvizje e pllakave tektonike, duke shkaktuar dridhje toke.
Mustafa theksoi se për t’u mbrojtur nga tërmetet, çdo objekt duhet të ketë studim gjeologo-inxhinierik, për të verifikuar në çfarë trualli do të ndërtohet. Parasysh sipas tij duhet të jetë edhe projektimi antisizmik dhe respektimi i të gjitha hallkave të ndërtimit, që të jetë në standarde me vendet evropiane.
E, për sigurinë e objekteve dhe rrezikimin e tyre nga lëkundjet, profesori universitari Naser Kabashi, deklaroi se cilësia e ndërtimeve lidhet me projektimin, materialet, ndërtimin dhe mbikëqyrjen, sipas kërkesave të standardeve evropiane, me theks të veçantë që të rritet niveli mbikëqyrës i realizimit të objekteve.
Ai tha se në Kosovë nuk ka objekte të identifikuara si të rrezikuara nga dridhjet tektonike, e një gjë e tillë sipas tij, duhet të bëhet nëpërmjet ekspertëve të fushës.
“Identifikimi i objekteve që mund të kenë pasoja të dëmtimeve të mëdha apo edhe katastrofale kërkon një angazhim të të gjitha institucioneve, e natyrisht të udhëhequra nga fakultetet përkatëse, në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, tha Kabashi.
Sipas tij, mosplotësimi i kushteve të ndërtimit të mbindërtimeve, e rrezikon strukturën bazë të objektit, duke shkaktuar zvogëlim të shtangësisë dhe dëmtim të bazës.
Kabashi kërkoi nga institucionet që t’i realizojnë anekset shtetërore për Eurokodet, që mbulojnë fushat e strukturave, me qëllim që objektet të sigurohen nga dridhjet e tokës.
“Kjo gjë është shumë meritore për vendin tonë. Jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike në botë që mund të shkaktojnë humbje jetë njerëzish dhe humbje të të mirave materiale. Ne duhet të përgatitemi dhe t’i përgatisim institucionet tona në raste të tilla se si të veprohet”, tha tutje ai.
Ai i tha KOHËS se zonat që kanë prani më të madhe të tërmeteve, duhet t’i sigurojnë më tepër objektet dhe vendbanimet.
Pos kësaj, sipas profesorit universitar, institucionet duhet të kryejnë vlerësime serioze mbi zonat që kanë objekte më të paqëndrueshme ndaj dridhjeve të tokës.
I pyetur për objektet e dëmtuara nga dridhjet, Kabashi tha se ato duhet të vlerësohen nëse mund apo nuk mund të sanohen.
“Në situatat kur një objekt mund të sanohet, pastaj mund të bëhet projekti i sanimit për të cilën gjë merren të gjitha masat për sanime apo përforcime eventuale të objekteve, me rastin e tërmeteve.”.
Këshilla e të dy ekspertëve ishte që në rast të dridhjes së tokës, qytetarët duhet t’i drejtohen institucioneve gjegjëse, e jo të bien pre e informacioneve që krijojnë panik.
Profesori Mustafa tha se çdo familje duhet të ketë rezerva të ujit të pijshëm dhe ushqim për disa ditë, mjete ndriçuese dhe broshurë informuese ndaj fatkeqësive natyrore.
“Në rast tërmeti, largimi nga vendet që janë me rrezik brenda dhome, siç janë objekte të varura për mure mund të shkaktojnë pasoja në njerëz, jo përdorimi i ashensorëve, larg zjarrit apo mjeteve me zjarre, pasi të ndalen dridhjet në mënyrë të organizuar dhe të sigurt pa panik të largohen nga objekti në një vend më të sigurt, sepse çdo herë pas një tërmeti mund të ndodhin pasgoditje që janë me rrezik të madh, tu ndihmohet familjeve me fëmijë të vogël, të moshuarve që në mënyre të sigurt të dalin nga objektet, të komunikojnë njëri me tjetrin deri sa të janë të sigurt që nuk ka mbet askush brenda objektit. Ndalohet kthimi në objekte para se ta analizojnë dhe vlerësojnë organet kompetente objektin se e ka ruajtur integritetin e elementeve strukturor dhe jo strukturor”.