Site icon PrishtinaPress

Ekspertët amerikanë: Videoja e vrasjes së ukrainasit të zënë rob, evidencë për krime lufte

Autoritetet ukrainase kanë bërë thirrje për një hetim për krime lufte pas qarkullimit në mediat sociale të një videoje, ku shfaqen ushtarë rusë duke ekzekutuar një rob lufte ukrainas. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Oleksii Kovalenko, u përpoq të mësojë se si do të hetohej një krim i tillë.

Më 6 mars, një video qarkulloi në mediat sociale ku duken forcat ruse që vrasin një rob lufte të paarmatosur, i veshur me uniformë ukrainase dhe që thotë me qetësi “Lavdi Ukrainës” (Slava Ukraini). Autoritetet ukrainase i kanë bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale që të hetojë.

Më vonë, prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se Ukraina ka filluar hetimet për vrasjen e robit të luftës të paarmatosur.

Ushtria ukrainase njoftoi se personi që ekzekutohet në video është snajperi Oleksandr Matsievskiy.

Ekspertët amerikanë besojnë se videoja mund të shërbejë si provë për një krim lufte të bërë nga forcat ruse në Ukrainë.

“Sugjeron qartazi provë për kryerjen e një krimi lufte dhe është e qartë se ky filmim do të bëhet pjesë e hetimeve që po bëhen jo vetëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, por edhe nga gjykatat ukrainase që do ta shqyrtojnë këtë krim, për të përcaktuar se cilat njësi ushtarake gjendeshin në atë zonë në atë kohë, dhe kush i komandonte ato”, thotë David Scheffer, nga Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë.

Avokati britanik Wayne Jordash, i cili drejton një grup hetuesish ndërkombëtarë që mbështesin punën e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, thotë se gjykatat duhet të vendosin nëse krimet e luftës që mendohet se po bëhen, mund të klasifikohen ligjërisht si gjenocid.

“Është pothuajse me siguri një krim ndaj njerëzimit. E vetmja pikëpyetje që mbetet është nëse ishte genocid, dhe do të duhet kohë që të vlerësohet kjo”, thotë zoti Jordash.

Profesorja Jennifer Trahan, nga Qendra për Çështje Globale të Universitetit të Nju Jorkut, beson se videoja e vrasjes është një tjetër kujtesë se përse duhet një gjykatë ndërkombëtare për të hetuar krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Nëse nuk do kishim agresionin, nuk do të kishim asnjë nga këto krime ndaj njerëzimit, apo krime lufte. Nuk do të kishim krimet e kësaj videoje të tmerrshme dhe asnjë nga vrasjet dhe lëndimet. Pra, është një kujtesë se përse na duhet kjo gjykatë”, thotë zonja Trahan.

Ekspertët mund të kenë mendime të ndryshme se si duhen hetuar krimet që po bëhen. Evidenca, si ajo nga videoja e ekzekutimit, nuk lë vend për dyshime se nevojitet një lloj hetimi ndërkombëtar./VOA

Exit mobile version