Këtë të shtunë, Prishtina është zgjuar në një gjendje trafiku të pazakontë. Shumë rrugë të kryeqytetit janë bllokuar, pasi që Komuna e Prishtinës ka vendosur të bëjë një test për shndërrimin unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi mirë dhe eksperimenti i Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nervozoi dhe irritoi shumë qytetarë, pasi që u shkaktuan kolona të gjata dhe rrëmujë e madhe në trafik në pjesën më të madhe të qytetit.
Eksperimenti që po zbatohet sot, do të vazhdojë edhe nesër. Rrugët që që janë shndërruar në një njëkahëshe janë rruga “Agim Ramadani”, rruga “UÇK”, rruga “Migjeni”, rruga “Luan Haradinaj”, rruga “Garibaldi”, rruga “George Bush” dhe rruga “Eqrem Çabej”.
Me mëngjes, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, shkroi në Facebook duke pyetur miqtë e tij dhe qytetarët për vlerësime lidhur me eksperimentin.
“Kemi nevojë për feedback! Si po ju duket qarkullimi një-kahor? Na dërgoni foto”, shkroi Zogaj.
Ndonëse qëllimi i këtij testi, ishte për ta çliruar kryeqytetin nga ngarkesat në trafik, në ditën e parë të tij, ndodhi e kundërta. Dhe nënkryetari Zogaj si dhe kryetari Rama, morën reagimet, por ato ishin pothuajse të gjitha negative.
Një prej reagimeve të shumta që doli kundër këtij eksperimenti të Kryetarit Rama, ishte edhe ai i kryetarit të GP të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se duhet anuluar menjëherë.
“Organizimi një kahor i rrugëve (unazë të brendshme) në kryeqytet, del të jetë një testim pa rezultat të qartë dhe në fakt me ndikim negativ. Të tilla testime, kur nuk janë të mirëmenduara e planifikuara rrezikojnë legjitimitetin e veprimeve të ardhshme për Mobilitetin Urban. Edhe pse qëllimi i deklaruar, del të jetë ambiental, tollovia e shkaktuar nuk i shërben kësaj. Aq më tepër, kur rritja e qëndrimit në rrugë (kolona) rrit ndjeshëm ndotjen, e dihet se një ditë e zakonshme gjatë vikendit, bllokada dhe frekuenca është ndjeshëm më e ulët. Ky veprim, e të tilla duhet anuluar menjëherë nga Kryetari Rama, në mënyrë që t’u hapet rrugë veprimeve të planifikuara mirë”, ka shkruar Tahiri sot në një postim në Facebook.
Reagime të shumta pati edhe nga qytetarët.
“Është qytet shumë i madh, nuk është zgjidhje për një punë të sillen në gjithë qytetin”, tha qytetarja Fitore Jashari, ndërkaq Gazmend Gashi e sheh si të pamundur zbatimin e këtij plani.
“E tmerrshme, nuk funksionon, është e pamundshme. Shumë vetura, nuk ka shanse të funskionoj… E palogjikshme defenitivisht”, tha Gashir.
Një tjetër qytetar me emrin Zegjir Tora tha se nëse kryeqytetit u bllokua të shtunën, të hënën, kur fillon java dhe dendësia është më e madhe, do të jetë edhe më keq.
“Veç po e bllokon, kurrfarë zgjidhje. Sot e shtunë edhe është blloku, po të hënën (ditë e punës)”, tha ai.
Kryetari Rama ka qenë në vëmendjen e publikut dhe mediave ditëve të fundit edhe për një deklaratë të tij për një qen endacak që kishte sulmuar qytetarët. Ai tha se qeni ishte kapur dhe ishte marrë në mbajtje, një deklaratë që jipte përshtypjen se qeni po trajtohej juridikisht nga organet e drejtësisë si person.
“Ai tani është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë. Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, kishte thënë Rama në konferencë për shtyp të premten.