Site icon PrishtinaPress

Ekskluzive: Zyrtarët shtetërorë nuk e marrin me rritje pagën e janarit!

Pavarësisht një vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor të vitit të kaluar, i cili parashah rritje të pagave për zyrtarët shtetëror, këta të fundit nuk kanë arritur të marrin pagën me rritje. Kjo pasi që ky vendim është propozuar të pezullohet përkohësisht pas konstatimit të Agjencionit Kundër Korrupsion se është vepruar jashtëligjshëm me miratimin e këtij vendimi.

Kështu kanë bërë të ditur për “Gazeta Blic” burime brenda Ministrisë së Financave. Sipas këtij burimi, zyrtarëve shtëterorë nuk i është lëshuar me rritje paga e muajit janar.

“Asnjë punonjësi të sektorit public nuk i është lëshuar paga me rritje, ashtu siç ishte paraparë me vendimin e Qeverisë nr. 04/20 të datës 20.122017”, ka thënë i njëjti burim.

“Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë edhe një konfirmim zyrtar lidhur me këtë çështje nga zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahinin, por i njëjti nuk është lajmëruar në thirrjet e redaksisë.

Rreth një orë më parë “Gazeta Blic‘ ka raportuar se vendimi për rritjen e pagave nesër do të jetë pikë e rendit të ditës në Qeverinë e Kosovës, ku pritet shfuqizimi i tij i përkohshëm.

Përveç kësaj pike e cila është sponsorizuar nga Zyra e Kryeministrit në mbledhjen e nesërme sipas një dokumenti të siguruar nga “Gazeta Blic” pikë e rendit të ditës do të jenë edhe shtatë çështje të ndryshme.

Vendimi për rritjen e pagave i është dorëzuar edhe Gjykatës Kushteteuese nga 31 deputetë të Kuvendit të Kosovës, mbi bazën e asaj se është marrë jashtëligjshëm.

Ndryshe, rritje të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, prej 25 deri në 50 për qind ka pasur edhe në vitin 2014 edhe më herët më 2011, vite këto kur ka pasur zgjedhje në Kosovë.

Sipas të dhënave, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 420 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Exit mobile version