Produkti i Brendshëm Bruto në 19 vendet e Eurozonës u rrit me 0.3 për qind gjatë tremujorit të tretë, në linjë me pritshmëritë dhe i pandryshuar nga tremujori i kaluar, tregojnë të dhënat e Eurostat. Me bazë vjetore, ekonomia e Eurozonës u zgjerua me 1.6 për qind për tremujorin e tretë.
Në Bashkimin Europian, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4 për qind krahasuar me tremujorin e dytë dhe me 1.8 për qind me bazë vjetore për periudhën Korrik-Shtator. Shifrat ishin sipër parashikimeve për Francën, Italinë dhe Spanjën, që treguan një rritje me 0.2 për qind, 0.3 për qind dhe 0.7 për qind në mënyrë respektive.
Zyra e Statistikave në Itali, Istat, raportoi se rritja bazohet në kontributin pozitiv nga kërkesa e brendshme, që kompensoi ndikimin negativ të tregtisë. Rikthimi në rritje përbën lajme të mira për Kryeministrin Matteo Renzi, e ardhmja politike e të cilit do të varet nga referendumi i 4 dhjetorit.
Produkti i Brendshëm Bruto në Holandë u rrit me 0.7 për qind nga tremujori i kaluar, duke e çuar normën vjetore në 2.4 për qind. Ekonomistët në vend shprehen se ekonomia po përfiton nga një rimëkëmbje e fortë në çmimet e shtëpive, shpenzimeve më të mëdha për konsum si dhe prej suficiti të madh e të vazhdueshëm tregtar.
Ndërkohë rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në Gjermani u ngadalësua në 0.2 për qind nga tremujori i kaluar, si pasojë e rënies së eksporteve. Megjithatë, analistët thonë se ekonomia më e madhe e Europës do të rifuqizohet në tremujorin e fundit, duke shtuar mundësitë për një rritje më të fortë në tremujorin e katërt në Eurozonë.