Sekretari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, e ka justifikuar largimin e mikrofonit nga shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, duke e cilësuar si veprim “jo-tragjik”.
“Nëse hiqet një mikrofon nuk është që ndodh diçka tragjike. Nuk pat asnjë lëndim, madje as pajisja nuk u lëndu.” – tha ai.
Azemi theksoi më tej se shkulja e mikrofonit nuk kishte të bënte me buxhetin, por me diskutimet rreth planit zhvillimor komunal.
“Ka qenë një seancë e grumbulluar me pika jashtëzakonisht të rëndësishme, duke filluar prej buxhetit për të cilin nuk ka ndodhur ky veprim, por ka ndodhur për shkak të planit zhvillimor komunal” – tha ai në TV Dukagjin.
Megjithatë, Sveçla është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprimet e tij.