1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Efektet indirekte të pandemisë tek fëmijët e vegjël mund të zgjasin gjatë gjithë jetës

Në “lotarinë” e jetës, familjet dhe shoqëritë e pasura u japin fëmijëve një jetë të shëndetshme. Por ngjarje të mëdha, si Covid-19 sigurisht që ndryshojnë çdo gjë.

Në Indonezi, për shembull, fëmijët që lindin në vite me shumë reshje priren të jenë më të pasur në moshë madhore. Në Amerikë, hulumtimet tregojnë se fëmijët që kanë lindur në fund të vitit 1918, në kulmin e gripit spanjoll, kishin 5 për qind më pak gjasa për të përfunduar shkollën e mesme dhe fitonin më pak kur u rritën.

Pandemia më e fundit gjithashtu ka ndikuar tek fëmijët duke u shkaktuar efekte afatgjata. Fëmijët kanë pasur probleme me kequshqyerjen, kanë pasur më pak vëmendjen e prindërve dhe nuk kanë pasur akses në shkollë.

Të dhënat më të qarta vijnë nga vendet e pasura, por ndikimet më të këqija ndoshta do të jenë në ato të varfra.

Pandemia i dëmton foshnjat para se të lindin. Fëmijët e vegjël kanë shumë më pak gjasa se të rriturit të sëmuren shumë nëse infektohen me Covid por gratë shtatzëna kanë pak më shumë gjasa se mesatarja për të shfaqur simptoma të rënda, gjë që rrit rrezikun që fëmijët e tyre të lindin para kohe ose të lindin nën peshë. Pandemia gjithashtu bëri që shumë nëna në pritje të vuajnë nga stresi ekstrem, që sipas studimeve, prek fëmijët e palindur.

Hulumtimet në Suedi, për shembull, kanë zbuluar se fëmijët e grave që humbën një të afërm ndërsa ishin shtatzënë, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga çrregullimi i mungesës së vëmendjes, ankthi ose depresioni kur të rriten.

Numri i të porsalindurve që u vaksinuan ra ndjeshëm gjatë pandemisë. Shumë fëmijë nuk bënë vaksina që ndihmojnë në një rritje të shëndetshme. Në dy muajt e parë të vitit 2022 kishte rreth 80% më shumë raste të fruthit në mbarë botën sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2021, pjesërisht për shkak të mungesës së vaksinimit.

Dietat janë përkeqësuar gjithashtu. Edhe para pandemisë, më shumë se 45 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç vuanin nga kequshqyerja. Shumë prej tyre nuk u zhvilluan mjaftueshëm pasi kequshqyerja ndikon në zhvillimin e trurit dhe zhvillimin fizik.

Stresi dhe shpërqendrimi i distancuan disa prindër nga fëmijët. Lena, një shoqatë në Kolorado, ka përdorur për vite me radhë mikrofona trupi për të mbajtur shënim se sa shumë biseda shkëmbejnë foshnjat me prindërit. Gjatë pandemisë numri i bisedave ra. Jill Gilkerson nga Lena tha se prindërit që duhej të fillonin shkollimin në shtëpi për fëmijët më të mëdhenj mund të kishin më pak kohë për të vegjlit. Por ndërveprimet në vitet e para të jetës janë thelbësore për një zhvillim të shëndetshëm, kështu që kjo mungesë ndikon tek fëmijët.

“Në vitin 2020, edukimi i fëmijëve të vegjël u la në harresë”, thotë Jaime Saavedra nga Banka Botërore. Shkollimi online vështirë se ishte një opsion për fëmijët e vegjël. Në vendet në zhvillim, fëmijët parashkollorë u rikthyen më vonë në klasa për shkak të frikës së prindërve.

Tek fëmijët e moshës shkollore, ndikimet e pandemisë janë të dukshme në rezultatet e testeve. Ndërsa matja e kostos për foshnjat dhe parashkollorët është më e vështirë.

Mjetet për gjurmimin e zhvillimit të hershëm të fëmijëve nuk janë aq të sofistikuara dhe ndikimi në fëmijërinë e hershme mund të marrë vite për t’u shfaqur.

Një studim i publikuar në tetor mblodhi gjetjet e tetë eksperimenteve të hershme, të kryera në Amerikë, Kanada, Kinë dhe Kuvajt. Ai arrin në përfundimin se në shumicën e rasteve, foshnjat e lindura ose të rritura në vitin e parë të pandemisë kishin më shumë gjasa të dilnin më keq në testet që masin aftësitë e hershme të komunikimit. Një nga autorët e studimit, Alireza Shamshirsaz nga Spitali i Fëmijëve në Boston, thotë se është e pamundur të thuhet nëse “fëmijët e pandemisë” do të arrijnë të jenë si gjithë fëmijët e tjerë, sepse ndryshimet sociale gjatë Covid janë të paprecedentë.

“Për miliona fëmijë të vegjël që u kequshqyen për shkak të pandemisë, rezultatet e dobëta janë më të lehta për t’u parashikuar. Fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja rrezikojnë “pasoja të pakthyeshme gjatë gjithë jetës” edhe pasi dieta e tyre të rregullohet”, thotë Saskia Osendarp nga Forumi i Micronutrientëve, një grup kërkimor. Uria ka një ndikim të madh në rritjen e trurit.

Ndoshta provat më të forta lidhen me mungesën e parashkollorit. Studiuesit në Amerikën Latine, ku mbyllja e çerdheve ishte veçanërisht e gjatë, kohët e fundit kanë gjetur probleme në fitimin e aftësive për të filluar shkollën siç duhet.

“Nga fundi i vitit 2020, fëmijët tre dhe katër vjeç në Kili dilnin shumë keq në testet e thjeshta të gjuhës”, thotë Florencia López Bóo nga Banka Amerikane për Zhvillim.

Numri i parashkollorëve që dështonin në një test standard të zhvillimit akademik, fizik dhe emocional u rrit me rreth 13% globalisht në vitin e parë të pandemisë, sipas vlerësimeve të akademikëve në Afrikë, Amerikë dhe Europë. Ato kanë gjasa të marrin nota më të ulëta gjatë viteve të tyre të shkollës dhe kjo mund të nënkuptojë paga më të ulëta.

Unicef mendon se mbyllja e shkollave parashkollore vetëm gjatë vitit 2020 mund t’u kushtojë fëmijëve 1.6 trilion dollarë fitime të humbura gjatë gjithë jetës, ekuivalente me 1.7% të PBB-së globale./Prishtinapress/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img