Ndër to, në faturën e muajit janar figurojnë 1 mijë e 384 porosi për makiato, specifikisht 625 prej tyre makiato të vogla dhe 759 makiato të mëdha.
Nga llogaritja e thjeshtë, i bie që për një ditë të jenë porositur rreth 40 makiato.
Restauranti ‘Amadeus’, i kontraktuar për të ofruar shërbime të pijeve për zyrën e Zv/Kryeministres, ka dërguar një faturë mujore të datave 01.01.2012 deri më 31.01.2012 që në total kap shumën 1 mijë e 917 euro.
Në këtë faturë me numër 10700/3819 janë të përfshirë shpenzimet për anëtarët e kabinetit të Tahirit.
KALLXO.com ka llogaritur shpenzimet specifike për zyrën e Tahirit që paraqet pjesën më të madhe të faturës së përgjithshme, saktësisht 1 mijë e 417 euro.
Ndër pijet që ishin porositur për zyrën e Tahirit në muajin janar hyjnë edhe lloje të tjera të kafeve, pije të gazuara, lëngje frutash dhe ujë.
Në anën tjetër, shpenzimet për zyret e pesë anëtarëve tjerë të kabinetit, nuk kalojnë shifrën 99 euro për secilin.
Makiatot e Marsit
Muaji i tretë i vitit 2012 shënoi një rënie të lehtë në numrin e makiatove të porositura për ZëvendësKryeministren e atëhershëme, Edita Tahirin.
Fatura mujore nga restauranti ‘Amadeus’, në total kapi vlerën 1 mijë 646 euro në dërgesa të pijeve.
Nga kjo faturë, në zyrën e Tahirit u shpenzuan 1 mijë e 164 euro në porosinë që përfshin 1 mijë e 74 makiato, respektivisht 625 të vogla dhe 449 të mëdha.
Fatura përfshiu edhe një sasi të kafeve, qumshtit me çokollatë, pijeve të gazuara dhe lëngjeve të frutave.
Makiatot e Majit
Muaji i pestë i vitit qëndroi konstant sa i përket nevojës për kafeinë në zyrën e Edita Tahirit.
1068 vogla dhe 432 të mëdha u porositën në zyrën e ZëvendësKryeministres.
Fatura e përgjithshme për datat 1 maj- 27 maj 2012 u pagua me 1 mijë e 746 euro në total, ndërkaq vetëm në zyrën e Tahirit u shpenzuan 1 mijë e 247 euro.
Fatura përfshiu edhe një sasi të kafeve, qumshtit me çokollatë, pijeve të gazuara dhe lëngjeve të frutave.
Makiatot e Gushtit
Në muajin e gjashtë u zvogëlua në një masë të vogël numri i makiatove të porositura dhe u rrit drastikisht numri i kafeve express.
918 makiato ishin porositur për zyrën e Edita Tahirit për datat 29 maj deri më 29 qershor 2012, prej të cilave 421 makiato të vogla dhe 497 makiato të mëdha.
Këtë muaj shërbimi me pije u bë nga kompania ‘Ben-af’, që në faturën e përgjithshme llogariti 1 mijë e 593 euro shpenzim.
Nga kjo shumë, 1 mijë e 131 euro u shpenzuan nga zyra e Zëvendëskryeministres dhe të tjerat nga kabineti i saj.
Edita Tahiri më vonë shërbeu si Ministre pa Protofol për Dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa momentalisht nuk ka ndonjë pozitë në qeveri.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.