8.6 C
Pristina
Wednesday, November 6, 2024

Buy now

spot_img

Edi Rama: Ballkani i Hapur nuk është shuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën se ai asnjëherë nuk e kishte deklaruar të mbyllur nisëm e Ballkanit të Hapur, duke theksuar se deklaratat e tij të mëparshme janë keqkuptuar.

Duke folur në një konferencë të fundvitit në Tiranë, Rama tha se “sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur Ballkanin e Hapur se nuk më rezulton që unë të kem bërë ndonjë mbyllje, madje unë e kam shpjeguar që Ballkani i Hapur nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë”.

Ai u pyet nga gazetarët për deklaratën e tij në korrik, kur kishte thënë se Ballkani i Hapur ishte një nismë për “ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se e kishte kryer atë mision për të cilin lindi”.

Duke iu përgjigjur pyetjes, Rama tha: “Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake. Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vet në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë.”

Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.

Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Lidhur me paralajmërimin e Ramës për shuarjen e saj, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte thënë asokohe se “nuk mund ta besojë se ai [Rama] e ka thënë një gjë të tillë”.

Rama konfirmoi se nisma rajonale vazhdon dhe për ta konkretizuar këtë solli në vëmendje, panairin e verërave që u mbajt pak kohë më parë në Beograd, duke e cilësuar atë si produkt të kësaj nisme.

“Ajo nismë vazhdon, që të jemi shumë të qartë dhe Shqipëria as nuk e ka mbyllur se nuk e mbyll dot një palë”, sqaroi Rama. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img