Kështu u shpreh Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës, ku foli gjerësisht për propozimin evropian.
Ai tha se janë duke e diskutuar çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucione, të cilët u larguan në muajin nëntor të vitit të kaluar.
“Shpresoj që serbët të kthehen në institucione. Jemi duke i diskutuar këto çështje. Janë të rëndësishme sepse vakumi nuk është i mirë, as për funksionimin e sistemit, prandaj pres që qeveria e Kosovës të krijojë kushtet për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione, dhe pres nga Beogradi të inkurajojë kthimin, sepse kjo nuk është situatë normale”, deklaroi Lajçaku.
Ai u shpreh se është shpenzuar shumë kohë me targat, në vend që koha të shpenzohej për çështje më të rëndësishme.
“Mendoj që kemi harxhuar shumë kohë në 6 muajt e fundit në çështjen e targave, kishte shumë tensione, ankth dhe probleme. Me siguri shumë më shumë se ç’meriton kjo çështje, na ka marrë shumë kohë dhe energji, të cilën mund ta kishim shpenzuar në energji, për shembull. Prapë, kur flasim për targa, ky propozim është përgjigja sepse targat adresohen me këtë propozim”, tha ndër të tjera ai. /Klankosova.tv