Grupi kriminal që kreu grabitjen e armatosur në Suharekë ra në ‘kthetrat’ e Policisë gjatë ditës së djeshme, pas një operacioni të gjerë policor. Njëri nga grabitësit u vra pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë, ndërsa katër të tjerë u arrestuan – teksa kërkimet për ta kapur edhe një të dyshuar po vazhdojnë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Trim Baraku, pronar i argjendarisë “Baraku” në Prishtinë.
Përveç dje, bastisja në këtë argjendari po vazhdon edhe sot, pasi pronari i arrestuar po dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal në rastin e grabitjes së arit në vlerë të 250 mijë eurove.
Konfrontimi i Policisë me grupin kriminal, bilanci total: Një grabitës i vrarë, një polic i plagosur dhe 7 të arrestuar
Si rezultat i hetimeve, fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më dje, kur edhe u zhvilluan bastisjet.
Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, dje në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Gjatë zhvillimit të operacionit policor, i dyshuari kryesor, tashëm i ndjerë, Dukagjin Gashi, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.
Zyrtarët policorë, sipas Policisë, në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të njëjtit, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar, në mesin e të cilëve Bujar Basha, Besart Istrefi dhe Leotrim Cakolli – kurse vëllai i të vrarit, Korab Gashi, ende gjendet në kërkim policor.
Zyrtarit policor, që pësoi plagë i është ofruar ndihma mjekësore në SHSKUK, ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.
Ashtu siç raportoi Sinjali, personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj.