Eksponatit të VV-së, Sadri Ramabaj, duket se i ka pëlqyer shumë gatishmëria e Fatmir Limajt për të bashkëpunuar me VV-në rreth formimit të institucioneve të reja.
Duke harruar kritikat e ashpra që dikur VV-ja kishte për Limajn, ai ka lartësuar kryetarin e Nismës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramabaja ka shkruar se qëndrimi i Limajt është largpamës.
“Krijimi i përshpejtuar i Qeverisë Kurti III, natyrisht falë edhe pozicionimit të maturuar politik, largvajtës e tejet të urtë të idealistëve si Fatmir Limaj, na e krijon mundësinë reale që të përballemi me kohë me kolonën e pestë. Duhet ta rikujtoj faktin se Kolona e pestë ka kohë që ka punuar për krijimin e kaosit politik. Aktakuza e ngritur ndaj dy spiunëve që punonin në logari të Serbisë, është vetëm maja e Ajzbergut. Forcimi dhe selitja e marrëdhënieve, sidomos në rrafshin e sigurisë e mbrojtjes, me aleatët tanë perendimor [tok me bërthamën e shteteve që po vihen në dipozicion të mbrojtjes së Ukrainës, rrjedhimisht edhe të Ballkanit], do t’i hapë rrugë shndërrimit të Republikës në një kështjellë që do të vihet në funksion të mbrojtjes së interesave të Kombit. [Frgment]”, ka shkruar Ramabaj.