Site icon PrishtinaPress

Edhe një takim për dinarin pa rezultat, krejt çka u tha në Bruksel pas bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Kosova dhe Serbia kanë përfunduar të hënën një tjetër rund bisedimesh, por pa arritur përparim për çështjen e dinarit serb, temë kjo që u diskutua në dy takime në nivel kryenegociatorësh. Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi palën kosovare se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.

Pas takimeve, blloku evropian paralajmëroi një takim të ri javën e ardhshme për këtë çështje.

Bislimi, pas takimit me Petkoviqin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, tha se janë diskutuar propozimet e palëve për çështjen e dinarit.

“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi.

Bislimi nuk deshi të japë detaje për propozimet, pasi argumentoi se do të dëmtohej procesi negociues, por tha se ai i Kosovës ishte “konstruktiv”.

“Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.

Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, shtoi Petkoviq.

Kryenegociatori serb tha se Beogradi do të vazhdojë bisedimet për të arritur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin e radhës për prill.

Ai përsëriti se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

“Ky është thelbi i propozimit tonë”, tha ai.

Bislimi po ashtu tha se në bisedimet e së hënës, Kosova u tregua e gatshme për fleksibilitet maksimal, por brenda rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kornizës ligjore, “për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi që të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”.

Ai tha se një zgjidhje për rregulloren e BQK-së, që parasheh euron si valutën për pagesa, është i mundur dhe lehtë i arritshëm, “vetëm se duhet vullnet politik i të dyja palëve”.

Exit mobile version