1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Edhe një “jo” e Kurtit ndaj kërkesave të SHBA-së

Qeveria e Kosovës “është treguar konstruktive dhe kreative në adresimin e brengave që ndajnë për rajonin” aleatët e saj.

Kështu u përgjigj ajo në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar “zhgënjimin” e shprehur të SHBA-së dhe BE-së për mosshtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e paligjshme serbe.

“Qeveria e Kosovës është dëshmuar partnere e besueshme dhe e qëndrueshme e aleatëve, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat historikisht dhe tradicionalisht kemi marrëdhënie të ngushta dhe miqësore”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.

Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mori vendim për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.

Zbatimi i vendimit për targat, në tri faza

Vendimi nis së zbatuari më 1 nëntor në tri faza. E para është qortimi i shoferëve që vozisin makina me targa të tilla; faza e dytë është gjobë prej 150 eurosh për ata shoferë dhe e treta janë targat provuese.

Zbatimi i këtij plani do të përfundojë më 21 prill, prej kur në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Kosova e ka shtyrë një herë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave më 31 korrik – po ashtu me sugjerimin e ndërkombëtarëve – pasi disa serbë lokalë në veri janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Pas publikimit të planit me tri faza, më 28 tetor, Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” me mosshtyrjen e vendimit edhe për dhjetë muaj të tjerë, ashtu siç kërkuan ato. Zhgënjim të ngjashëm, një ditë më vonë, shprehu edhe Bashkimi Evropian.

Peci: Nuk ka kapacitete për zbatimin e vendimit për targat

Njohësit e proceseve politike në Kosovë kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosshtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave, por edhe për reagimin e SHBA-së dhe të BE-së.

Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, aktualisht drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë për Radion Evropa e Lirë se plani me tri faza i Qeverisë së Kosovës mund t’i nxjerrë në pozitë të palakueshme autoritetet e Kosovës.

“Realisht, Kosova nuk ka kapacitet që ta zbatojë këtë vendim të Qeverisë. Problemi kyç qëndron te Policia e Kosovës që nuk ka kapacitete për ta zbatuar këtë vendim të Qeverisë, sepse flasim për mijëra automjete që janë në veri të Kosovës…”, thotë Peci.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa të paligjshme, që bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Këto makina qarkullojnë që nga paslufta, më 1999. Serbët në veri, kryesisht të dirigjuar nga Beogradi zyrtar, kanë refuzuar t’i zëvendësojnë ato, derisa serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka vite që përdorin targat që i lëshon shteti i Kosovës.

Baliqi: Vendimi i Qeverisë, gjysmë pajtimi me palën ndërkombëtare

Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat, por edhe reagimet e SHBA-së dhe BE-së tregojnë se palët janë racionale dhe se përpiqen të mos e përshkallëzojnë situatën.

“Kërkesa ndërkombëtare ishte jo fort e arsyeshme, sepse disa herë kanë kërkuar të shtyhet [zbatimi i vendimit të Qeverisë]. Por, në anën tjetër, edhe vendimi i Qeverisë ishte një gjysmë pajtimi me palën ndërkombëtare dhe, në njëfarë mënyre, mbase edhe presion nga ana e Qeverisë që ky 10-muajsh të mos jetë vetëm një shtyrje e radhës, por që kjo ndoshta të përcillet me aksione. Shumë me rëndësi është që ditëve në vijim të mos provokohet situata, por që me të vërtetë të kemi një mirëkuptim ndërmjet të gjitha palëve”, thotë Baliqi për Radion Evropa e Lirë.

A dëmtohen marrëdhëniet me partnerët perëndimorë?

Lulzim Peci thotë se vendimi i Qeverisë mund t’i dëmtojë interesat e Kosovës. Sipas tij, humbja e besimit te partnerët ndërkombëtarë, Kosovës mund t’i sjellë pasoja në marrëdhëniet ndërshtetërore me ta.

Në kontekstin e zhvillimeve aktuale në Evropë, përkatësisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Peci thotë se SHBA-së dhe BE-së u nevojitet paqe në Ballkanin Perëndimor, si dhe përfundimi me sukses i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse ne, me veprime të tilla krijojmë situatën në terren, e cila bart fokusin nga normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në çështje të tjera, siç është kjo e targave apo nxitja e konflikteve të intensitetit të ulët – e që mund të përshkallëzojnë në intensitet [më] të lartë në veri – …ne praktikisht, me këtë rast, jemi duke ia dhënë një dhuratë Serbisë. Gjithashtu, jemi duke i keqësuar marrëdhëniet me partnerët tonë strategjikë. Ne mendojmë se i kemi partnerë, por jemi duke e humbur këtë partneritet”, thotë Peci.

Baliqi shfaq besimin se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat nuk do të nxisë ndonjë përkeqësim të raporteve të Kosovës me partnerët e saj perëndimorë.

“Nuk do të thotë që ne duhet me automatizëm të pajtohemi me çdo kërkesë që vjen, e cila, në njëfarë mënyre, nuk është se na jep garanci që do ta zgjidhë problemin”, thotë Baliqi.

Refuzimi për targat nuk është “jo” e vetme e Kurtit

Kosova ka refuzuar disa herë kërkesat e SHBA-së, me gjithë faktin se ajo ka qenë ndër mbështetëset kryesore të shtetndërtimit të saj.

Zyrtarë të SHBA-së, por edhe BE-së kanë kërkuar më herët nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, formimi i këtij asociacioni është hedhur poshtë nga Kurti, i cili ka thënë se një asociacion njëetnik do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Kurtit, gjithashtu, ka refuzuar zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020. Kundërshtimet e Qeverisë kanë pasur të bëjnë sidomos me projektin që asokohe quhej mini-Schengen e që sot njihet si “Ballkan i Hapur”, si dhe për çështjen e Liqenit të Ujmanit.

Edhe projekti për Gazsjellësin Trans-Adriatik, i cili është sugjeruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka marrë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Në vjeshtën e vitit 2020, Qeveria e Kosovës është tërhequr nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), me gjithë sugjerimin e SHBA-së për të kundërtën.

Qeveria e Kurtit nuk ka mundësuar as organizimin e votimit për qytetarët serbë të Kosovës në referendumin e Serbisë për ndryshimet kushtetuese, më 16 janar të vitit 2022, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar.

Qeveria e Kosovës ka injoruar edhe kërkesat e vazhdueshme të SHBA-së dhe BE-së që Manastirit të Deçanit t’i kthehen 24 hektarë tokë, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016. Kurti ka argumentuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohet në, siç ka thënë, politikën “diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë nga vitet ’90.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img