Site icon PrishtinaPress

​Edhe një dëshmitar me masa mbrojtëse në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Nën masa mbrojtëse ka nisur dëshminë e tij në Hagë dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

ZPS e ka paraqitur një deklaratë të dëshmitarit i cili pretendon se në korrik të vitit 1998 UÇK kishte ndaluar një familjar të tij në Drenoc.

Prokurori Paul Bradfield ka kërkuar nga dëshmitari që të konfirmojë disa dokumente që përmbanin dëshmi të tij, të dhëna për UNMIK-un në vitin 2004, si dhe për ZPS-në në vitin 2020.

Kur është pyetur për këtë, dëshmitari ka thënë se nuk është mirë me shëndet dhe se vuan nga diabeti.

“Në korrik 1998 dëshmitari me familjen e tij po ktheheshin në shtëpi nga një ngjarje familjare dhe gjatë rrugës për në shtëpi u ndaluan në post bllok të UÇK afër Drenocit, ushtarët e UÇK-së urdhëruan njërin prej anëtarëve të familjes të dilte nga vetura, dëshmitari pa anëtarin e familjes se si u nxor nga vetura dhe u fut në një veturë tjetër. Pas rreth 3 orësh UÇK urdhëroi dëshmitarin dhe anëtarët tjerë të familjes të vazhdonin rrugën por ai anëtari i familjes që u nda prej tyre u mbajt aty në post bllokun e UÇK-së. Gjatë ditëve në vijim kushërinjtë e dëshmitarët shkuan në Drenoc për të ra në kontakt me anëtarin e familjes, megjithatë askush më nuk e ka parë dhe kufoma e atij personi asnjëherë nuk është gjetur”, tha ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur si prova materiale deklaratat e mëparshme të dëshmitarit që përfshinë disa certifikata dhe disa artikuj gazetash, si dhe një foto rreshtim që është përdorur gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit.

Mbrojtësi i viktimave në rastin Thaçi dhe të tjerët, Simon Laws la njoftuar se përmes video-lidhjes është takuar dy herë me dëshmitarin e ZPS-së.

Pyetjet e tij për këtë dëshmitar janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar.

Seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UCK-së do të vazhdojë të enjten.

Në gjykatoren e Speciales dëshminë e tij e ka përfunduar edhe oficeri ushtarak britanik i cili kishte shërbyer në Kosovë në kuadër të misionit të OSBE, gjatë periudhës së luftës.

Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Exit mobile version