Site icon PrishtinaPress

Edhe MPB pagoi punonjësit e komunitetit serb pa shkuar në punë, kaq u dëmtua buxheti

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se edhe Ministria e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ka vazhduar t’i paguajë disa punonjës të komunitetit serb, edhe pse të njëjtit s’kanë shkuar fare ne punë.

Gjatë vitit të kaluar, MPB’ja ka shpenzuar mbi 100 mijë euro për pagat e 20 punonjësve serbë.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP, ishte e obliguar t’i sistemoj 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të structures ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474€”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë Ministri.

Nga ZKA theksojnë se kompensimi i këtyre punëtorëve pa shkuar në punë është duke u bërë qe disa vjet dhe se kështu po dëmtohet buxheti i Ministrisë.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve…Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të ministries”, thekstohet në raport.

Sipas Auditorit, Ministri Xhelal Sveçla “duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.

Gazeta Express ka raportuar dje se pagesa të tilla ka bërë edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për MINT, gjatë vitit 2022 janë shpenzuar 127 mijë e 298 euro për pagat e tyre.

“Me vendimin nr. 06/39 te datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduar të Marrëveshjes se Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për integrimin e personelit nga ish e ashtuquajtura “Mbrojta Civile”. Përmes këtij vendimi, MTI kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet a tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njejtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2022 për pagat e të punësuarve për këtë kategori ishte 127,298€”, thuhet në raport.

Ndryshe, Neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 Për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve”, përcakton se “Gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik“.

Exit mobile version