Presidentja Osmani nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për sanksionet që SHBA-ja ia vuri Kosovës për shkak të veprimeve në Veri. Kurti ka thënë se është i befasuar dhe se i sheh si masë të tepruar. Por, Osmani që po flet për koordinim me partnerët, nuk ka folur ende për ndëshkimet. Opozita i kërkon asaj të mos heshtë ndërsa Lista Guxo është edhe për Kurtin, edhe për koordinim me Amerikën.
Kur Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i tha të gjitha vërejtjet për Kryeministrin Albin Kurti, ai dukej se kishte pritje të tjera nga Presidentja Vjosa Osmani.
Pasi tregoi se Kurti s’ka pranuar kërkesat e amerikanëve, Hovenier, u pyet nëse Presidentja është pjesë e politikave qeveritare. Ai përmendi se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”, ka thënë ambasadori amerikan në një bisedë me disa gazetarë kosovarë.
Presidentja Osmani shkoi në Moldavi për të takuar liderët evropianë, duke i ditur të gjitha qortimet që i janë bërë Kosovës, Qeverisë së saj, për futjen me forcë të kryetarëve të rinj shqiptarë në tri komunat veriore.
Edhe më tutje, Osmani nuk ka thënë asnjë fjalë për qëndrimin e fundit të SHBA-së, të bërë publik të martën e që është një listë e sankioneve për Kosovën, që nisi me anulimin e pjesëmarrjes e FSK-në në stërvitjet e përbashkëta me NATO-n në “Defender Europe”.
Sot në Moldavi, Osmani përsëriti atë që veriu po tensionohet nga “bandat kriminale” të dirigjuara nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Ajo kërkoi nga aleatët e Kosovës ta ndalin Serbinë.
“Unë jam këtu për të kërkuar përkrahje të partnerëve për t’i luftuar këto tendencave dhe të parandalohet ndikimi i këtyre…Vuçiqi është i interesuar që nga bandat kriminale të destabilizojë, s’duhet të lejohet një gjë e tillë…”, tha Presidentja.
“Kam takime me të gjithë liderët që marrin pjesë në këtë samit. Është me rëndësi që të kërkojmë përkrahjen…dhe të ecim në Këshill të Evropës, por edhe të shpjegojmë se çka po ngjan në veri. Po ashtu, do të kërkoj ndihmën e tyre që t’i luftojnë grupet kriminale në veri që po destabilizojnë vendin tonë”, shtoi ajo.
Thirrjet që i bëri sot Presidentja, zyrtarët amerikanë dhe evropianë i kanë dëgjuar vazhdimisht nga udhëheqja kosovare, që nga e premtja. Megjithatë, të gjithë konsiderojnë që për tensionimin e situatës në veri, përgjegjëse është Qeveria e Kosovës.
Opozita në Kosovë e sheh heshtjen e Presidentes Osmani karshi vendimeve të Qeverisë dhe kritikave të aleatëve, si të rrezikshme.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë se është e papranueshme që Presidentja nuk u deklarua akoma për përjashtimin e FSK-së nga stërvitjet në “Defender Europe”.
“Heshtja nuk është gjithmonë flori. Në momente si këto, kur cenohet e ardhmja euroatlantike e Kosovës, heshtja e Presidentes është e papranueshme. Presidentja si komandante supreme e FSK-së nuk e ka thënë asnjë fjalë për përjashtimin e ushtrisë tonë nga ushtrimi i përbashkët me NATO. Prezenca e ushtarëve tanë në Defender 2023 do të ishte demonstrim shumë më i fuqishëm i sovranitetit sesa tri zyre komunale në veri”, tha Çitaku.
LDK-ja e ka futur në top tri kërkesat e saj lidhur me gjendjen aktuale, deklarimin e Presidentes Osmani, pas prishjes së raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së.
“LDK-ja i bën ftesë Presidentes që të flasë. Të ketë një pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë çështje jetike të përballjes publike të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. Heshtja e Presidentes në momente e tema si këto, është abstenim nga funksioni kushtetues i saj”, ka thënë të mërkurën kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkaq, Lista Guxo, e cila është pjesë e Qeverisë dhe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka publikuar një reagim kundërthënës. Ajo përkrah vendimin e Kurtit për t’i mbajtur kryetarët në objektet komunale dhe përkrah koordinimin me SHBA-në, e cila ka kërkesën kryesore që kryetarët të largohen nga objektet komunale të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
“Partia Guxo mbështet fuqishëm qëndrimin e institucioneve se kryetarët e komunave duhet të punojnë nga objektet zyrtare komunale dhe, natyrisht, në çdo ndërtesë zyrtare e qeveritare duhet të valojë flamuri i shtetit të Kosovës”.
“Po ashtu, Partia Guxo mbështet komunikimin e sinqertë e të vazhdueshëm, bashkërendimin e bashkëpunimin e ngushtë të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me misionet e me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin partneritet e bashkëpunim vëllazëror, Republika e Kosovës ka trasuar e ndërtuar rrugën e vet drejt lirisë, pavarësisë, demokracisë e zhvillimit të saj si shtet i pavarur, sovran e unik”, thuhet në pjesën e dytë të reagimit të “Guxo”-s, e cila de fakto njihet si parti e Presidentes.
Sekretari amerikan, Antony Blinken, e ka dënuar të premten futjen me forcë të kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe. Ndërkaq Ambasadori amerikan ka thënë të martën se Kurti s’është koordinuar me aleatët, e më vonë nuk i ka pranuar dy kërkesat e SHBA-së për shtensionim të situatës.
Kryeministri Kurti ka thënë në mediat ndërkombëtare se deklaratat e Blinkenit ishtin “ të padrejta” dhe “naive”. Ndërkaq për sanksionet e vëna ka thënë se janë “të tepruara”.