1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Edhe Kryeministri kroat i reagon presidentit Milanoviq: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, s’e ka aneksuar askush

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Deklarata e presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq se “Serbisë iu rrëmbye Kosova” ka shkaktuar indinjatë të madhe në Kroaci dhe është dënuar njëzëshëm nga i tërë spektri politik.

Ndonëse Milanoviq tha se ai “e mbështet Kosovën dhe e ka pranuar pavarësinë e saj”, krahasimi që i ka bërë aneksimit të pjesëve të Ukrainës nga Rusia me pavarësinë e Kosovës është dënuar nga shumë politikanë në Kroaci.

Këtë e ka dënuar edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq me të cilin presidenti Milanoviuq është në një luftë verbale tash e disa muaj.

Plenkoviq ka thënë se Milanoviq me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë“ por ka shtuar se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt“.

Plenkoviq ka rikujtuar se Kroacia ishte ndër të parat që e ka njohur Kosovën si shtet dhe nuk pranon krahasime dhe pohime për “aneksim“.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar”, tha kryeministri kroat Plenkoviq. “Me rëndësi është se Kosova është shtet i pavarur, sovran me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, kemi ambasadën tonë në Prishtinë dhe të Kosovës në Zagreb. Kemi angazhim që të rrisim edhe bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Kjo është hera e parë që dikush në Kroaci flet në këtë mënyrë për Kosovën, nuk e di se me çfarë arsye“.

Plenkoviq ka thënë se Milanoviq tash “është yll jo vetëm në mediat e Rusisë, por edhe ato të Serbisë”.

Deklaratat e presidentit të Kroacisë, Milanoviq, rreth Kosovës, i kanë dënuar edhe partitë opozitare, disa prej të cilave më herët nuk kishin dashur të distancoheshin nga qëndrimet e presidentit kroat rreth luftës në Ukrainë.

Në deklaratat e partive opozitare është thënë kryesisht se “Kosova me të drejtë është pavarësuar” dhe se “Kroacia e Kosova janë vende mike”.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës ka mbajtur qëndrim të kundërt me kryeministrin e Kroacisë, Plenkoviq dhe me shumicën e liderëve perëndimorë. Ai ka pasur qëndrime të afërta me ato të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban dhe të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erodan, duke e fajësuar Perëndimin për politikën ndaj Rusisë.

Milanoviq ka thënë se “Ukraina duhet të detyrohet të ulet në negociata për paqe” dhe ta pranojë humbjen e territorit të saj.

Po ashtu ka thënë se “Amerika në Ukrainë, në shpinë të ukrainasve, lufton kundër Rusisë”.

Milanoviq ka thënë se me dërgimin e armëve në Ukrainë po “zgjatet lufta”.

Në Kroaci deklaratat e tilla janë dënuar e shoqëruar me komente se “edhe kroatët mbrojtën trojet e veta duke sulmuar, ashtu siç bëjnë sot ukrainasit”.

Në komentet nëpër portalet në Kroaci ka shumë të tilla ku e fyejnë presidentin e Kroacisë, duke thënë se duhet “të shtrihet në psikiatri” apo edhe të tilla si “e tmerrshme të shohësh se si një njeri shkatërrohet kështu”.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img