3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Edhe dy muaj paraburgim për Ilir Avdullahun, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Ilir Avdullahut, i njohur me nofkën “Liza”, i cili u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi’, mbrojtësi i Avdullahut, avokati Fanol Krasniqi.

Avokati Krasniqi tha se të mbrojturit të tij, masa e paraburgimit i është vazhduar deri më 15 tetor, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Kujtim Krasniqi.

Ndryshe, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK),  Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik ia kishte caktuar Avdullahut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.

Me këtë, thuhet se në bashkëkryerje dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë’’ nga neni 147, paragrafi, 1 nënparagrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës).

Ndryshe, Policia më 16 korrik njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Për Triumf Rizën është duke u rigjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img